Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën për mbështetjen e Kosovës
(Lajm i përditësuar)
Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën për mbështetjen e Kosovës
Miratohet rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë për Kosovën me 101 vota pro dhe 1 abstenim.
Në përfundim të mocionit me debat dhe interpelancës, Kuvendi votoi pro rezolutës të sjell në Kuvend.
Rama: Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës po na vështirëson përpjekjet
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së e SHBA-së dhe viktimizimi i Serbisë falë dhuratave të marra bujarisht nga gabimet e Kosovës, po ia vështirësojnë përpjekjet për ta zgjidhur situatën.
“Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe SHBA-së dhe vetë viktimizimi diplomatik i Serbisë në ata sy, falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare, e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë, të cilën e kemi vazhduar në çdo instancë dhe çdo rrethanë. Këtë e bëmë edhe në samitin e Komunitetit Politik Evropian, ku bashkë me presidenten Osmani kemi folur me aktorët politikë për nevojën e një qëndrimi adekuat të BE-së ndaj këtij përshkallëzimi të rrezikshëm”, ka thënë Rama, duhet shtuar se Beogradi zyrtar mban një përgjegjësi të madhe për sulmin në Banjskë, pasi “jo vetëm që nuk e dënoi agresionin, por e mbuloi me flamurin kombëtar të zisë, përderisa nuk shpalli thirrjen për hetim, bashkë me të gjitha forcat e përfshira në procesin e normalizimin”.
Rama megjithatë kritikoi ish-kryeministrin Sali Berisha, tash lider opozitar, se po tenton që përmes rezolutave të tilla të bëjë “propagandë patriotike”. Kryeministri Rama ka thënë se Shqipëria si vend kandidat i BE-së nuk ka se kujt t’ia drejtojë këto rezoluta.
Shqipëria mbledh Kuvendin për “24 shtatorin”
Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të mblidhen sot (12 tetor) në një seancë të posaçme pas agresionit serb në fshatin Banjskë të Zveçanit ku pas sulmit terrorist të grupit të uniformuar nën drejtimin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Kjo seancë e posaçme përfshin interpelancë me kryeministrin Edi Rama, e ftuar nga deputeti demokrat Kreshnik Çollaku. Interpelanca është ftuar me arsyetimin “dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, hapat që parashikohen të ndërmerren dhe qëndrimet në raport me zhvillimet e pritshme në marrëdhëniet ndërshtetërore në Ballkan”.
Në këtë seancë parashihet edhe një mocion me debat dhe miratimi i projektrezolutës në mbështetje të Kosovës.
Debati pritet të zgjasë minimalisht 5 orë, ndërsa nga seanca e kaluar ka pasur përplasje të forta me opozitën që ka kritikuar mazhorancën për mënyrën se si e ka trajtuar “24 shtatorin”, ndërsa për partinë në pushtet opozita kërkon të bëjë politikë me Kosovën.
Socialistët kanë dashur që në seancë të ketë vetëm miratim të rezolutës, mirëpo opozita parlamentare ka insistuar në debat. Kjo kërkesë ka kaluar në Konferencën e Kryetarëve, një mekanizëm analog me Kryesinë e Kuvendit në Kosovë, dhe sot pritet të ketë edhe debat mbi reagimin e shtetit shqiptar ndaj ngjarjeve në Kosovë.
Partia Socialiste, si grupi më i madh parlamentar, do të ketë minutazhin më të madh me 160 minuta hapësirë për diskutim. Pastaj është grupi parlamentar i Partisë Demokratike me 75 minuta, grupi parlamentar “Aleanca për Ndryshim” 15 minuta, grupi parlamentar “Drejtësi dhe Integrim” 15 minuta, Partia e Lirisë 6 minuta si dhe Partia Socialdemokrate 6 minuta.
Gjithashtu, 25 minuta do të jenë të rezervuara për deputetët jashtë grupeve parlamentare, ose ai që njihet si grupi “Rithemelimi” në kuadër të Partisë Demokratike në krye të së cilës është Sali Berisha.
Në këtë seancë nuk kanë të drejtë pjesëmarrjeje deputetët: Gazment Bardhi, Albana Vokshi, Elda Hoti, Bledion Nallbani, Zheni Gjergji, Lefter Gështenja, Asllan Dogjani dhe Luan Bacci. Të njëjtit kishin penguar kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla në kryerjen e detyrave të saj në seancën e javës së kaluar dhe ndaj tyre është marrë masa e përjashtimit në seanca dhe komisione parlamentare deri më 18 tetor të këtij viti.










