Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

Lajçak: Takimi Kurti-Vuçiq ishte mjaft pozitiv

nga Xh.D24 gusht 2022

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se takimi midis Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq nuk ishte i kotë.
“Erdha për të vazhduar aty ku e lamë të enjten. Takimi sigurisht që nuk ka qenë i kotë. Unë pajtohem me gjithçka që renditët, por vetëm theksoj rëndësinë e dialogut dhe procesit që unë drejtoj sepse tregon se sa vëmendje është e përqendruar në të gjitha këto dhe sa të larta janë pritshmëritë. Ishte një raund shumë më ndryshe. Ne patëm një diskutim shumë profesional, të fokusuar dhe me respekt, nuk u grindën, ata respektuan vizionet që kishte secili dhe ishin të vetëdijshëm se ku janë dallimet”, tha Lajçak.
Bisedimet e mbajtura të enjten e kaluar në Bruksel nuk sollën zgjidhje.
“Ne gjithmonë kemi disa zgjidhje gati, por fillimisht inkurajojmë palët të na tregojnë se si e shohin zgjidhjen. Nuk është kurrë një parim “merre ose lëre”, por është gjithashtu profesional që ne gjithmonë kemi propozime që i vendosim në tryezë. Unë mund të imagjinoj çdo situatë, duke përfshirë që të dyja palët të ndalojnë lëshimin e dokumenteve të tilla, por edhe skenarë shumë më të keq – ne duam t’i shmangim ato gjithashtu. Ne kemi disa propozime që janë aktuale, por sigurisht që nuk do të ndihmonte të flitej publikisht për to ndërkohë që jemi ende duke i diskutuar”, tha Lajçak.
I pyetur për çështjen e targave, Lajçak u përgjigj se nuk ka mirëkuptim në BE për një konflikt të mundshëm në Ballkan.
“Prioriteti është të ndihmojmë Ukrainën në luftë dhe që konsumon kapacitetet tona, kështu që nuk ka mirëkuptim në BE për një konflikt të mundshëm në Ballkan që do të luftohej për gjëra që nuk janë të dhimbshme, urgjente, nuk kushtojnë shumë. Nga ana tjetër, ka një moment të favorshëm për Ballkanin, BE-ja e kupton se nuk duhet të duket sikur ka humbur interesin dhe ka kthyer kokën nga lindja – prandaj na duhen shembuj pozitivë nga rajoni”, tha Lajçak.
Në mars të vitit 2022, Lajçak premtoi me vendosmëri se liderët e Serbisë dhe Kosovës nuk do të takohen derisa të ketë diçka për të cilën ata bien dakord.
“Ke të drejtë, pas dy takimeve që nuk ishin veçanërisht produktive, ne thamë se donim të kishim diçka konkrete për bisedën e radhës. Çështja e të zhdukurve ishte më e logjikshme për të qenë pikërisht ajo – më pak përçarëse, e rëndësishme për të dyja palët dhe ne ishim afër përfundimit të dokumentit kur ngjarjet në terren hapën nevojën për menaxhim të krizës”, shtoi Lajçak.
Në përpjekje për të arritur një marrëveshje para 1 shtatorit, Lajçak fillimisht vjen në Prishtinë dhe më pas në Beograd. Ai do të shoqërohet nga i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar.
Ndërkaq, Kurti tha se deklaratat e palës serbe se është treguar konstruktive në takimin e 18 gusht në Bruksel në tërësi janë gënjeshtra.
“Në Bruksel, nuk kemi pasur angazhim konstruktiv e as propozime konkrete nga pala serbe, katër propozime lidhur me këtë çështje janë dhënë nga Miroslav Lajçak. Ende kemi qenë të hapur për biseda, por nga ndërtesa ka dalë pala tjetër. Nëse ka njëra anë letra ngjitëse do të ketë dhe nga ana tjetër. Kemi hedh edhe idenë që të njihen të gjitha dokumente. Nëse marrëveshja ka qendër njohjen reciproke, atëherë reciprociteti është fryma”, tha Kurti.
Tutje Kurti u shpreh se janë duke zbatuar elementet e pranuara nga Serbia të vitit 2011 dhe 2016.
“Pavarësia e vendit nuk mund të promovoj një rend juridik për një pjesë të territorit. Më lejoni të adresoj disa të pavërteta që kanë qarkulluar ditëve të fundit. S’kemi pas propozim konkret nga pala serbe. Marrëveshja e lirisë së lëvizjes nuk bazohet në liri e etni, por në bazë të vendit. Nëse një qytetar prezanton letërnjoftim të Kosovës ai preferon të njihet si qytetar nga Kosova apo anasjelltas edhe qytetari i Serbisë nëse paraqitet me letërnjoftim të Serbisë preferon të njihet si qytetar i Serbisë. Rrjedhimisht nuk mund të marr etni diskriminuese”, tha kryministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Kurti konfirmoi se ka prezantuar gjashtë kapituj që pala kosovare kërkon që të jenë pjesë e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë. //21Media

Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës
LAJMI TJETËR →
Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës

Më të fundit

Të gjitha →