Largohen nga administrimi vaksinat AstraZeneca që iu skadoi afati
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se janë larguar nga administrimi mbi 133 mijë vaksina AstraZeneca pas skadimit të afatit, vaksina këto të cilat ishin donacion nga Norvegjia.
Në një konferencë për media, ka thënë se shumë dezinformata janë shpërndarë rreth afati të këtyre dozave dhe nga deputetë të Kuvendit.
“Sot janë hequr nga administrimi 133 mijë e 234 vaksina nga AstaZeneca, pjesë e donacionit nga Norvegjia të cilave u ka skaduar afati. Natyrisht se ky nuk është një lajm i mirë, si Ministri e Shëndetësisë qysh në fillim kemi lajmëruar se afati i tyre është 31 gushti i këtij viti. “Pavarësisht kësaj ka pasur edhe shumë dezinformata përfshirë këtu fatkeqësisht edhe deputet të Kuvendit të Kosovës për afatin e këtyre vaksinave. Përveç tjerash kjo ka ndikuar dukshëm në uljen e interesimit të qytetarëve për të marrë këtë vaksinë deri në refuzim të marrjes së këtyre vaksinave”, ka thënë Vitia.
Ai ka theksuar se në fillim të javës tjetër pritet të vijnë pjesa tjetër e vaksinave Pfizer përmes COVAX nga donacioni i SHBA-ve prej 500 mijë dozave, dhe mbi 200 mijë doza nga kontrata bilaterale me Pfizer.
Tutje, ministri ka njoftuar se duke filluar nga java tjetër, do të kryhet vaksinimi edhe ditëve të fundjavës./21Media










