Limaj: Kjo që ndodhi sot nuk është në praktikën parlamentare
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se propozimi për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit, nuk është praktikë parlamentare dhe nuk duhet të ndiqet si e tillë.
Pas përfundimit të seancës konstituive, Limaj u shpreh se nuk mund të ndërrohet mënyra e votimit në mes të procesit.
“Kjo që ndodhi sot nuk është në praktikën parlamentare siç e dini kryetarët e Kuvendit janë zgjedhur me votim të hapur. Në mes të votimit nuk mund të ndërrojë forma e votimit, dhe duhet t’i kthehemi praktikës parlamentare kryetari i Kuvendi, nënkryetarët të zgjidhen me votën e hapur nuk mund të ndryshohet duhet të vazhdohet ashtu. Krejt këto mund të bëhen kur të krijohet shumica”, tha ai.
Lideri i Nismës nuk e konsideron veprim të rregullt këtë propozim të LVV-së dhe shton se pa i pasur votat nuk mund të konstituohet Kuvendi.
“Për tema nacionale, për tema të mëdha të shtetit duhet gjetur rrugë që e ndihmojnë Kosovën. Nuk e di pse, por nuk është në rregull, por më vjen mirë që deputetët nuk ranë në shkelje të praktikave dhe vetë ligjit shpresoj se tanimë janë shterur këto mundësi”, theksoi ai.









