Luftimet në Sudan, RSF shpallë armëpushim dy-ditor për nder të Kurban Bajramit
Komandanti i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake sudaneze (RSF) ka shpallur një armëpushim dy-ditor “të njëanshëm” për festën e Kurban Bajramit.
“Ne po shpallim një armëpushim të njëanshëm, me përjashtim të situatave të vetëmbrojtjes, në prag të Bajramit dhe në ditën e Kurban Bajramit”, tha Mohamed Hamdan “Hemedti” Dagalo të hënën në një regjistrim audio të postuar në Facebook.
Hemedti tha se shpreson që festa e Bajramit do të ofronte një mundësi për pajtim mes popullit sudanez.
Duke pranuar kushtet sfiduese humanitare të shkaktuara nga lufta, ai tha: “Shpresojmë të dalim nga lufta më të bashkuar dhe më të fortë”.
Ushtria sudaneze ende nuk ka komentuar mbi një armëpushim të mundshëm, raporton AlJazeera, përcjell rtv21.tv.
Kurban Bajrami, ose Festa e Sakrificës, është një nga festat më të rëndësishme myslimane, që shënon kulmin e Haxhit (pelegrinazhit) vjetor në Arabinë Saudite.
Mijëra të vrarë, miliona të zhvendosur
Sudani është shkatërruar nga luftimet midis ushtrisë dhe RSF-së që nga mesi i prillit në një konflikt që ka vrarë të paktën 2,000 civilë dhe ka plagosur mijëra të tjerë.
Khartoum dhe el-Geneina kanë qenë më të prekurit nga lufta që shpërtheu më 15 prill, megjithëse tensionet dhe përleshjet u përshkallëzuan javën e kaluar në pjesë të tjera të Darfurit dhe në Kordofan në jug.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) vlerëson se konflikti ka zhvendosur pothuajse dy milionë njerëz brenda vendit dhe më shumë se 600,000 kanë ikur në vendet fqinje.
Rreth 25 milionë njerëz – më shumë se gjysma e popullsisë së vendit – kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje, sipas Kombeve të Bashkuara, të cilat thanë se kanë marrë vetëm një pjesë të fondeve të nevojshme.
Gjatë konfliktit mujor u njoftuan disa nisma për armëpushim. Megjithatë, palët ndërluftuese akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjeve të armëpushimit.
Ditët e fundit, luftimet janë intensifikuar pasi një sërë marrëveshjesh armëpushimi të rënë dakord në bisedimet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite në Jeddah dështuan. /21Media









