Mbrojtja e Krasniqit- Zyrapit: Keni dhënë dëshmi të rreme për ta mbrojtur lëkurën tuaj
(Lajm i përditësuar)
Mbrojtja e Krasniqit- Zyrapit: Keni dhënë dëshmi të rreme për ta mbrojtur lëkurën tuaj
Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, gjatë kundërpyetjeve të saj i tha dëshmitarit Bislim Zyrapi se ai ka ndryshuar dëshminë e tij dhe se ka dhënë dëshmi të rreme “për ta mbrojtur lëkurën e tij”, pasi sipas saj është dëshmitar i dyshuar.
“Zoti Zyrapi, ju jeni këtu si i dyshuar, jeni këtu së bashku me avokatin tuaj dhe po ju them që dëshmia që e keni dhënë këtu është e rreme dhe dëshminë e keni dhënë për të mbrojtur lëkurën tuaj”, tha Alagendra.
Përpara kësaj, pa praninë e dëshmitarit, Alagendra i tha trupit gjykues se ky dëshmitar ka dhënë pretendime të reja kundër Krasniqit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Për herë të parë në përgjigje të pyetjeve të gjykatësve, ky dëshmitar ka pretenduar apo ka dhënë fakte të reja kundër zotit Krasniqi. Këto deklarata ose këto fakte nuk i ka dhënë asnjëherë përpara TPNJ-së, apo përpara asnjë instance tjetër”, tha Alagendra.
Avokatja Alagendra theksoi se është qëndrim i tyre se dëshmitari është ndjerë i detyruar që të japë përgjigje që kanë dashur ta dëgjojnë gjykatësit.
“Është qëndrim i yni të nderuar gjykatës që dëshmia e këtij dëshmitari ka zhvilluar, është ndryshuar dhe kur gjykatësit i kanë bërë pyetje, ai është ndjerë që të ndihet i detyruar që të japë përgjigje që kanë dashur të dëgjojnë gjykatësit. Ky është qëndrimi ynë. Unë kam detyrën, të paktën detyrën që ta lejoj atë që t’i përgjigjet pyetjeve”, tha Alagendra.
Pasi u kthye dëshmitari në sallë, qëndrimin e saj Alagendra ia tha edhe Zyrapit, duke shtuar se ai është duke e bërë përgjegjës Krasniqin në disa fusha.
“Zoti Zyrapi, qëndrimi ynë është që e keni ndryshu dëshminë tuaj në disa fusha. Tani thoni që Jakup Krasniqi ka mbikëqyrur sektorin ligjor, një sugjerim që Sokol Dobruna i ka raportuar Jakup Krasniqit, Drejtoria Informative i ka raportuar Jakup Krasniqit dhe sikurse e thashë më herët që Jakup Kransiqi e ka pas kompetencën për të urdhëruar arrestime. Unë po ju them që ju keni zmadhuar, ekzagjeruar qëllimisht rolin dhe kompetencat e Jakup Krasniqit”, tha mbrojtja e Krasniqit.
Ndërsa, Zyrapi mohoi se e ka ekzagjeruar rolin e Krasniqit gjatë dëshmisë së tij gjatë këtyre 12 ditëve.
“Aspak nuk e kam ekzagjeruar rolin e Jakup Kransiqit. E kam spjegu atë sipas pyetjeve që janë ba, sipas përgjegjësive që kanë pas në atë kohë”, tha Zyrapi.
Alagnedra pyeti dëshmitarin gjithashtu se a kishte ushtruar dikush ndikim mbi atë për t’ia hedhur fajin Krasniqit.
“A ka ushtruar ndikim mbi ju dikush për të hedhur fajin mbi Jakup Krasniqin mbi çështjet e ngritura dhe për ta bërë përgjegjës Jakup Krasniqin sa i takon pyetjeve të bëra sa i takon faktit që ju e dini se ai nuk e ka bërë këtë gjë”, tha Alagendra.
Por, një gjë të tillë e mohoi dëshmitari Zyrapi, duke shtuar se dëshmia e tij e tregon realitetin e një sistemi që ka qenë në atë kohë dhe asgjë më tepër.
“Kurrfarë presioni nuk kam pas nga askush. Sipas pyetjeve si ka vepru dhe qysh ka qenë në atë kohë, unë kam shpjegu se cilat kanë qenë përgjegjësitë dhe kush çfarë përgjegjësie ka pas… po e spegoj të njëjtën se kush në cilat përgjegjësie ka pas. Kurrfarë ndryshimi të deklaratës nuk kam ba prej deklaratave që kam dhanë para gjykatave me betimin që kam dhënë të tregoj të vërtetën, atë çka di dhe çka ka qenë e imja që unë di edhe kam pa dhe kam mujt të has dhe asgjë tjetër të veçantë… Jam tu e folë realitetin e një sistemi që ka qenë në atë kohë dhe asgjë më tepër”, tha Zyrapi.
Me kaq përfundoi dëshmia e këtij dëshmitari, kurse seanca tjera nuk do të ketë gjatë kësaj periudhe për shkak të pushimit veror të gjykatës.
Zyrapi pohon se Sokol Bashota nuk ka qenë vartës i Jakup Krasniqit
Sot është dita e 12 që prej kur dëshmitari Bislim Zyrapi filloi dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Kundër pyetjet për dëshmitarin është duke i bërë mbrojtja e Krasniqit përmes avokates, Venkateswari Alagendra. Duke u përgjigjur në pyetjet e saj, Zyrapi këmbënguli në versionin e tij se Krasniqi kishte qenë zëdhënës i UÇK-së deri sa ishte emëruar zëvendëskomandant në nëntor të 1998-ës, konkretisht pas ristrukturimit të ushtrisë.
“Zonja avokate, unë e kam shpjegu shumë mirë se kur është vendos Jakup Krasniqi si zëvendëskomandant. Në këtë periudhë kur kam merri të qershorit e deri në nëntor ka qenë zëdhënës. Kurse, në nëntor është vendos si zëvendëskomandant, në ristrukturim. Këtë e kam shpjegu shumë mirë. Në qoftë se ka pas detyrë tjetër, unë nuk e kam ditë”, tha Zyrapi.
Dëshmitari pohoi me kokë kur u pyet se a është e vërtetë se Jakup Krasniqi nuk ka qenë në asnjërin nga takimet për realizimin e marrëveshjes me Qeverinë Bukoshi dhe se gjatë kësaj kohe nuk ka pasur kontakt me tashme të akuzuarin.
Pas kësaj, dëshmitarit iu prezantua një dokument me disa emra të propozuar për zëvendëskomandant e që ishin Sokol Bashota dhe Ismet Alija por jo Jakup Krasniqi.
Dëshmitari pohoi se Sokol Bashota ka qenë prej fillimi si kandidatura kryesore e UÇK-së për zëvendëskomandant i parë.
“Qëndrimi ynë z. Zyrapi është që Sokol Bashota nuk ka qenë vartës i Jakup Krasniqit. Kjo është e vërtetë apo jo që nuk ka qenë në vartësinë e Jakup Krasniqit”, tha Alagendra.
Një gjë të tillë e pohoi dëshmitari duke shtuar se kjo gjë ishte e qartë.
“Është e kjartë që nuk ka qenë me rregulla ushtarake ose qysh dush ta marrim. Komandanti që vetë e zëvendëson, ai është mbi të gjithë”, tha Zyrapi.
Më pas, Alagendra ia vuri ndër dije deklaratën e tij dëshmitarit kur ishte pyetur nga trupi gjykues se cili nga zëvendëskomandantët e mbikëqyrte sektorin e juridikes.
Për gjyqtarin Christoph Barthe dëshmitari ishte përgjigjur se që të dy e mbikëqyrnin këtë sektor por kryesisht Krasniqi.
Ndërsa, sot, dëshmitari mohoi se nuk ka parë ndonjë raport me shkrim, ndonjë udhëzim nga Krasniqi për të Sokol Dobrunën ose anasjelltas.
“Nuk me ka dhënë mu ai përgjegjësi, i ka dhënë drejtë përgjegjësi komandës dhe jo mu e raporti ka shku drejtë atje. Nuk e di, çfarë raporte, sa ka shkru e çka ka shkru. Nuk është çështje e imja”, tha dëshmitari duke shtuar se duhet pyetur vetë Dobruna se kujt i ka raportuar dhe se kush ka qenë përgjegjës.
Më pas dëshmitarit iu prezantua një deklaratë e Sokol Dobrunës ku kishte treguar se ai i raportonte Azem Sylës pasi ai ishte komandanti kryesor por që në shumicën e rasteve nuk kishte kohë të mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë.
Sipas Alagandrës, hetuesi kishte pyetur Dobrunen se a e kishte Zyrapi kompetencën për të urdhëruar lirimin e Blerim Kuçit.
“Z. Dobruna është përgjigjur kështu: Patjetër, sepse duhej respektuar hierarkia”, tha Alagnedra.
“Unë nuk kam qenë mbikëqyrësi i tij në këtë aspekt që po e thoni dhe nuk kam mujtë me i thanë liroje ose mos e liro se u kanë e drejta e tij dhe komandës dhe jo e imja. Unë kam mujtë veç me propozu ose me e këshillu”, tha Zyrapi.
Më pas, dëshmitarit iu prezantua deklarata e Kurtesh Fondaj në të cilën ai kishte thënë se për rastin e Blerim Kuçit kishte diskutuar me Bislim Zyrapin dhe sipas tij deklarata e tashmë dëshmitarit do të ishte vendimtare për rastin e Kuçit.
Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III trajtoi kërkesën e mbrojtjes së Selimit për të shtyrë afatin kohor për tu përgjigjur në parashtrimin e ZPS-së i cili është një njoftim për dëshmitarët që synojnë të thërrasin deri me 7 nëntor.
“Mbrojtja e Selimit kërkoi një zgjatje të afatit deri me 26 korrik sa i takon dëshmitarëve që janë planifikuar të dëshmojnë në bllokun e parë pas pushimit të gjykatës dhe deri me 23 gusht sa i takon dëshmitarëve të cilët nuk do të jepin dëshmi menjëherë pas pushimit të gjykatës”, tha Smith III.
Ai miratoi këtë kërkesë të mbrojtjes pasi sipas tij ekziston shkak i arsyeshëm sa i takon zgjatjes së këtij afati.
“Duke pasur parasysh kërkesën dhe duke pasur parasysh gjithashtu edhe pushimin e gjykatës, Trupi Gjykues mendon që ekziston shkak i arsyeshëm sa i takon zgjatjes së afatit. Për pasojë, trupi gjykues miraton në pajtim me rregullën 9 paragrafi 5 kërkesën e mbrojtjes për të zgjatur kohën për t’u përgjigjur në parashtrimin e protokolluarPF0245 deri të martën me 29 korrik. Lidhur me dëshmitarët që janë planifikuar që të jepin dëshmi në bllokun e radhës pas pushimit të gjykatës që është 9 gusht deri me 9 shtator dhe së dyti; të dorëzojë përgjigjen deri me 23 gusht 2024 sa i takon dëshmitarëve që janë planifikuar të dëshmojnë pas 5 shtatorit”, tha Smith III.
Pas kësaj, trupi gjykues diskutoi çështjen e bllokut të ardhshëm të dëshmitarëve konkretisht nga 9 gushti deri me 5 shator.
Prokurorja Lawson tha se lista që kanë dërguar janë dëshmitarët që synojnë të thërrasin pas pushimit të gjykatës.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi











