SHBA fuqishëm i përkrahin eurointegrimet e Maqedonisë për anëtarësim në BE-në, këtë mesazh nga Washingtoni e përcolli ndihmës sekretarja shtetërore e SHBA-ve, Karen Donfrid e cila në vizitë të vendit tonë arriti së bashku me përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar. Donfrid theksoi se po pret vazhdim të aktiviteteve të Maqedonisë edhe në nivel global por edhe mes qeverive, për çështje energjetike dhe shkëmbim të informacioneve duke paralajmëruar se më 2 qershor në Uashington do të mbahet dialog strategjik mes përfaqësuesve të qeverive të dy vendeve.
“Tashmë një kohë të gjatë po zvarritet mbajtja e Konferencës së parë ndërqeveritare. Ju i plotësuat detyrat e vështira, reformat e nevojshme dhe meritoni të përparoni shpejt. Këtë e kemi treguar tashmë dhe do ta përsëris, e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE-në. Aderimi juaj do të sjellë stabilitet në Ballkan dhe prosperitet më të madh në Evropë”, tha Karen Donfrid, Ndihmës Sekretare Shtetërore e ShBA-ve.
Dialogu strategjik që do të mbahet më 2 qershor në Uashington do të thotë përforcim dhe thellim të marrëdhënieve, ndërsa Maqedonia do të bëhet vendi i parë i Ballkanit që fillon dialog strategjik me SHBA-të, tha Osmani.
“Thellimi i bashkëpunimit me SHBA-të dhe përforcimi i prezencës amerikane në rajonin tonë është shumë i rëndësishëm veçanërisht në kontekst të rreziqeve aktuale të sigurisë, si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë. Lufta në Ukrainë demonstroi nevojë të qartë për vendosjen e dinamikës së re në proceset eurointegruese të vendeve të Ballkanit perëndimor. Procesi i zgjerimit të BE-së paraqet politikë e sigurisë, andaj anëtarësimi i rajonit në Union është shumë i rëndësishëm për sigurinë rajonale dhe evropiane dhe për stabilitetin”, tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.
Sot edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi në takim me homologun e tij ukrainas, Ruslan Stefançuk, porositi se Maqedonia iu bashkëngjitet iniciativës së NATO-s dhe BE-së për ndihmë financiare dhe ushtarake për Ukrainë.
“Republika e Maqedonisë së Veriut iu bashkëngjit të gjitha masave restriktive të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Federatës ruse dhe këtë do të vazhdojë ta bëjë edhe më tutje. Njëkohësisht Republika e Maqedonisë së Veriut iu bashkëngjit iniciativës së anëtarëve të NATO-s dhe BE-së për ndihmë financiare dhe ushtarake për Ukrainë. Gjithsesi iu bashkëngjitëm qëllimeve për ripërtëritje të Ukrainës pas përfundimit të kësaj lufte të pakuptimtë”, tha kryeparlamentar Talat Xhaferi.
Delegacioni i lartë amerikan në krye me Karen Donfrid zhvilloi takime edhe me presidentin e shtetit Stevo Pendarovski, me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ministren e mbrojtjes Sllavjanka Petrevska./21Media









