Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2023, që i hap rrugë ekzekutimit të pagave në sektorin publik me koeficientin në vlerë prej 105 eurosh.
Miratimi i këtij koeficienti, së bashku me amandamentet e miratuara, u bë me 63 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim, raporton KosovaPress.
Miratimi i këtij ligji mundëson që pagat në sektorin publik për muajin shkurt 2023 e tutje të dalin sipas koeficientit të ri.
Debati në Kuvend gjatë ditës për koeficientin u përcoll me përplasje të ashpra mes deputetëve të opozitës dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.
19: 00-Kuvendi miraton në parim koeficientin 105 euro për paga
Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të parë koeficientin prej 105 euro për paga, në kuadër të plotësim-ndryshimit të Ligjit për ndarjet buxhetore në sektorin publik.
Pro votuan 63 deputetë për, derisa kundër dhe abstenime nuk pati.
Ndërsa, me propozim të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për mocion procedural, Kuvendi vendosi që ky projektligj të shqyrtohet në lexim të dytë po ashtu sonte prej orës 20:00./21Media











