Çitaku: Bisedat që i dëgjuam sot, mes Kusarit dhe Radoiçiqit e konfirmon qartë koordinimin me Listën Serbe
(Lajm i përditësuar)
Çitaku: Bisedat që i dëgjuam sot, mes Kusarit dhe Radoiçiqit e konfirmon qartë koordinimin me Listën Serbe
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj publikimit të audio-incizimit mes shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dhe terroristit Milan Radojçiq.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Çitaku ka thënë se hipokrizia dhe mashtrimi janë konstantja e vetme e kësaj kaste qeverisëse.
“Bisedat që i dëgjuam sot, mes shefes së grupit parlamentar të VV-së me kryeterroristin Radoiçiq, e konfirmojnë qartë afërsinë dhe koordinimin me Listën Serbe. Çka fsheh ende afera “Zdravo” mbetet të shihet, por tashmë s’ka dilema se kjo duhet të hetohet nga organet përkatëse”, ka shkruar Çitaku.
Mustafa: Bisedë klandestine mes Kusarit dhe Radojçiqit, Prokuroria ta hetojë këtë rast me urgjencë
Deputeti i LDK-së Besian Mustafa ka reaguar pas publikimit të një bisede të shkurtër mes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe Milan Radoiçiq.
Mustafa është shprehur i habitur për siç e ka quajtur “koordinimin e shefes së deputetëve të Vetëvendosjes me një figurë famëkeqe kriminale si Radojçiq”.
I njëjti ka ftuar prokurorinë që ta hetojë këtë rast.
“Kjo bisedë klandestine mes Mimoza Kusarit dhe Milan Radojçiqit zbulon aleancat e dyshimta dhe agjendat e fshehura që dëmtojnë interesat tona kombëtare. Është e habitshme të shohësh shefen e deputetëve të Vetëvendosjes, një parti që ka gojën plot “patriotizëm”, “transparencë” e “integritet”, të koordinohet afërsisht me një figurë famëkeqe kriminale që ka cenuar interesat, integritetin dhe sovranitetin e Republikës sonë. Ky rast hedh poshtë parimet e tyre të deklaruara deri më tani, duke qitur në pah se pas dyerve të mbyllura, Vetëvendosje janë të gatshëm të komprometojnë vlerat e tyre dhe interesat kombëtare për interesat e tyre politike dhe kushedi çfarë interesa tjerë”, thuhet në reagimin e deputetit Mustafa.











