Mustafa: Liberalizimi i vizave proces i filluar nga Qeveria e Kosovës në vitin 2009
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Qeveria Kurti nuk e ka përmbushur asnjë kriter për liberalizimin e vizave.
“Liberalizimi i vizave nuk është akt, për të përvetësuar meritat nga askush. Është proces i filluar nga Qeveria e Kosovës në vitin 2009 i negociuar me Komisionin Evropian në qershor të vitit 2012, kur iu prezantua Kosovës Udhërrëfyesi për liberalizim që përcaktonte një listë të gjerë kriteresh (kushteve, standardeve) pra reformash nga riintegrimi, ripranimi, siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufijve, migracioni, azili, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, liria e lëvizjes e deri te demarkacioni i kufirit me Malin e Zi”, ka shkruar ai.
Mustafa ka shtuar se sipas Komisionit Evropian, në raportin e 18 korrikut të vitit 2018, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim.
Sipas tij, liberalizimi i vizave në vitin 2016 do të kishte domethënie tjetër politike, kurse përfitimet e shtetit dhe të qytetarëve do të ishin shumë të mëdha./21Media











