Brenda tre ditësh në komunën e Vitisë kanë humbur jetën tre të rinj. Kryetari i Komunës, Sokol Haliti, ka njoftuar se e mërkura, 11 qershor, do të jetë ditë zie në nderim të viktimave.
“Me pikëllim të thellë dhe zemër të rënduar ju njoftoj se këto ditë, komuna jonë është tronditur nga tri humbje të mëdha. Bijë e bija të kësaj toke u ndanë nga jeta në mënyrë të parakohshme dhe tragjike,” tha Haliti në njoftimin e tij.
Sipas vendimit të komunës, gjatë kësaj dite zie flamujt në të gjitha institucionet komunale do të ulen në gjysmështizë, aktivitetet kulturore, sportive dhe festive do të pezullohen dhe institucionet dhe qytetarët do të nderojnë kujtimin e të rinjve me heshtje dhe respekt.
Kryetari Haliti u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen në këtë ditë zie për të nderuar jetët e humbura dhe për të qëndruar pranë familjeve të prekura, duke ndarë dhembjen me solidaritet dhe dashuri njerëzore.









