Netanyahu e Trumpi “bien dakord” për dy shtete dhe fundin e luftës në Gazë
Pas sulmeve amerikane në Iran më herët gjatë javës, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, raportohet se është pajtuar që t’i japë fund brenda dy javësh luftës në Gazë, sipas raportimit të mediumit “Israel Hayom”, të bazuar në burime nga biseda e Netanyahut me presidentin amerikan, Donald Trump.
Sipas raportimit, Trumpi dhe Netanyahu janë dakorduar në një bisedë telefonike që t’i japin fund luftës dhe që katër shtete arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti, të bashkëqeverisin Rripin e Gazës në vend të Hamasit.
Liderët e grupit duhet të largohen e pengjet të lirohen.
Sipas raportimit, dakordimi përfshin edhe pikën që shumë shtete do të pranojnë refugjatë nga Gaza.
E aty theksohet po ashtu se do të zgjerohet lista e shteteve arabe dhe myslimane që e njohin Izraelin dhe që do të vendosin raporte diplomatike me të.
Pikë tjetër është edhe shprehja e përkushtimit të Izraelit për një zgjidhje “me dy shtete” me Palestinën, bazuar në reformat e Autoritetit Palestinez.
Sipas “Israel Hayom”, ka qenë presion i madh i Trumpit që Izraeli të ndalë luftën në Gaza.










