Një armëpushim në Rripin e Gazës varet nga lirimi i pengjeve të mbajtura nga Hamasi, tha në një deklaratë të enjten kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
“Izraeli po siguron korridore të sigurta për civilët nga veriu në jug të Rripit të Gazës, përmes të cilit vetëm dje kaluan 50,000 qytetarë të Gazës”, thuhet në deklaratë.
Netanyahu gjithashtu u bëri thirrje banorëve të Rripit të Gazës që të shkojnë në jug, duke përsëritur ato që ai tha javë më parë, megjithëse sulmet izraelite në jug të Gazës kanë vazhduar.
Më herët të enjten, ushtria izraelite tha se “nuk ka armëpushim në Gaza, por pauza të kufizuara taktike dhe lokale”.
Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për një armëpushim humanitar, qeveria izraelite vazhdon t’i rezistojë një marrëveshjeje, megjithëse Shtëpia e Bardhë tha të enjten se Izraeli kishte rënë dakord për pauza humanitare katër-orëshe në veri të Gazës.
Izraeli ka përshkallëzuar veprimet e tij ushtarake, duke përfshirë sulmet ajrore, operacionet tokësore dhe bombardimet detare, veçanërisht në rajonin verior të Rripit të Gazës, ku po përparon me tanke.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 10.000 civilë janë vrarë, duke përfshirë mbi 4.400 fëmijë, që nga 7 tetori kur filloi konflikti pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi në Izrael ku u vranë mbi 1.400 njerëz.










