Nisja e fushatës zgjedhore e partive politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit po shihet si mundësi i e mirë për të përmirësuar gabimet e tyre në mungesë të formimit të institucioneve të reja. Profesori, Xhavit Rexhaj, tha se lidershipi partive politike në këto zgjedhje nuk duhet të luajnë me durimin e popullit të Kosovës nga i cili po kërkojnë votë. Sipas tij, partitë politike duhet të kenë guxim për të ecur përpara përmes bashkëpunimit për formimin e institucioneve të reja.
‘’Lidershipi i partive politike ia kanë dhënë vetës një rast jo që e kanë meritu që populli të votojë edhe një herë për ta. Unë mendoj se këtë nuk duhet ta keqpërdorin dhe të keqkuptojnë durimin e popullit ndaj tyre dhe të mos vazhdojnë me lojërat që i kanë bërë deri më tash me kombinatorika të ndryshme dhe në mungesë totale të guximit për të ecur përpara për t’i dhënë popullit Qeveri.’’, tha Rexhaj për RTV21
Politologu, Albinot Maloku, tha se partitë politike gjatë fushatës 12 ditore duhet të shpalosin idetë e tyre për çështjet e zhvillimin ekonimik, rikthimin e raporteve të mira me aleatët e Kosovës sidomos me SHBA-të, si dhe qëndrimet e tyre sa i përket procesit të dialogut në Bruksel. Sipas tij, pas zgjedhjeve vullneti politik për krijimin e një Qeverie stabile është thelbësor për realizimin e programeve.
‘’Partitë politike duhet të fokusohen në çështje që janë kruciale për vendin, zhvillimin ekonomik, rikthimi i raportëve me aleatët. Kur flasim për vullnetin politik ky është thelbësor. Nëse ka vullnet politik, sidomos i pari që del pas procesit zgjedhor konsiderojë se Kosovës do ti jepet një stabilitet politik.”, Maloku.
Ndërkohë, analisti politik i cili jeton dhe vepron në Gjermani, Lulzim Veliu, vlerëson se është me rëndësi të madhe që përfaqësuesit politik në këto zgjedhje ta lënë anash retorikën përçarëse dhe të hedhjes së fajësisë për bllokadën politike një vjeçare për formimin e institucioneve. Sipas tij, partitë politike duhet të bëjnë më shumë për diasporën e jo vetëm të kërkojnë votë nga ta.
‘‘Është bërë tashmë traditë që në kohën e fushatave zgjedhore diaspora është në maje të gjuhës tek të gjitha subjektet politike duke kërkuar votën nga ta, ndërsa për diasporën është bërë shumë pak apo asgjë. Kërkesë kryesore e diasporës është që ata të kenë të drejtën e përfaqësimit në institucionet e Kosovës duke pasur vende të rezervuara në Kuvend. ”, tha Veliu.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit po mbahen pas një blloke rreth një vjecare për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë./RTV21/21Media











