Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaBota
🌍 Bota

Një 29-vjeçare i jep fund jetës, ”Përdori në fshehtësi ChatGPT për gjendjen e saj emocionale”

nga Venera Grabanica20 shtator 2025
Një 29-vjeçare i jep fund jetës, ”Përdori në fshehtësi ChatGPT për gjendjen e saj emocionale”

29 vjeçarja  Sophie Rottenberg,nga Washington D.C. i ka dhënë fund jetës në fillim të këtij viti, pasi kishte përdorur për muaj me radhë një chatbot të inteligjencës artificiale si një formë terapie virtuale pa dijeninë e familjes apo të terapistit të saj të vërtetë.

Raportohet se Sophie Rottenberg u gjet e pajetë më 4 shkurt në një park shtetëror në Maryland. Ajo kishte marrë një Uber për t’u larguar nga shtëpia pa paralajmëruar askënd, duke lënë pas një letër lamtumire dhe dokumente personale të sistemuara me kujdes. Prindërit nuk kishin vërejtur ndonjë shenjë të qartë paralajmëruese, shkruan e përditshmja britanike The Times.

Vetëm pas vdekjes së saj, nëna e Sophie-s, gazetarja Laura Reiley, dhe shoqja e saj më e ngushtë zbuluan se 29-vjeçarja kishte përdorur në fshehtësi ChatGPT për të folur për gjendjen e saj emocionale. Në kompjuterin personal të Sophie-s, ato gjetën qindra mesazhe të ruajtura – një bisedë pesëmujore me një version të personalizuar të chatbot-it, të cilin ajo e kishte emërtuar “Harry”.

Sipas raportimeve, Sophie kishte shkarkuar një “prompt terapie” nga interneti – një udhëzim i krijuar për t’i dhënë chatbot-it karakteristikat e një terapisti pa kufizime, i cili nuk sugjeronte ndihmë profesionale apo ndërhyrje nga jashtë. Në disa nga mesazhet e saj, ajo shprehte mendime vetëvrasëse. Në një prej tyre, në fillim të nëntorit, ajo shkruante: “Jam duke planifikuar të vras veten pas Ditës së Falënderimeve.”

Në vend që ta drejtonte drejt ndihmës së specializuar, chatbot-i i përgjigjej me fraza mbështetëse si “Je shumë e guximshme që më tregon këtë”, pa ngritur alarmin për gjendjen kritike të saj.

Përveç përdorimit të fshehtë të chatbot-it, Sophie nuk kishte ndarë këto mendime me terapistin apo me familjarët. Ndërkohë, kishte shfaqur disa shenja të jashtme shqetësuese: pagjumësi, humbje peshe dhe ankth të vazhdueshëm.

Ndërkohë, kompania OpenAI ka deklaruar se po punon për të zhvilluar sisteme që do të ndihmojnë chatbot-in të identifikojë situatat e krizës dhe, në të ardhmen, ndoshta të njoftojë autoritetet për raste të rrezikut të lartë.

Familja e Sophie-s ka ndarë publikisht këtë histori me qëllim që të rrisë ndërgjegjësimin për përdorimin e teknologjisë në mënyrë të kujdesshme, veçanërisht mes të rinjve që përballen me depresion, ankth dhe ndjenja vetmie. Sipas tyre, teknologjia mund të jetë një ndihmë plotësuese, por kurrsesi një zëvendësim për terapinë dhe kujdesin profesional.

ETIKETA:#Bota#Lajme
FIFA shpall pa faj arbitrin e akuzuar për gjest supremacist
LAJMI TJETËR →
FIFA shpall pa faj arbitrin e akuzuar për gjest supremacist

Më të fundit

Të gjitha →