Gjykata Komerciale ka nxjerrë sot edhe një aktvendim tjetër gjyqësor, e cila pezullon vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen në treg të lirë të energjisë.
Oda Ekonomike e Kosovës njofton për aktvendimin e radhës, i cili ka ardhur nga Gjykata Komerciale në Prishtinë, që pezullon vendimin e ZRRE-së për daljen në treg të lirë të energjisë për një anëtar të Odës.
“Ky aktvendim nga Gjykata duhet të shërbejë si argument i fortë për ZRRE-në që të rishqyrtojë tërësisht dhe të pezullojë vendimin për të gjitha bizneset, për të parandaluar dëmtimin e konkurrencës së lirë, biznesit, qytetarëve dhe ekonomisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje ZRRE-së që pa emocione, në mënyrë profesionale dhe transparente, të shfuqizojë vendimin për daljen e bizneseve në mënyrë të dhunshme në tregun e lirë të energjisë.
Më tej thuhet se Oda Ekonomike e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbështetjen ligjore të bizneseve dhe do të vazhdojë me ngritjen e padive përmes bashkëpunëtorëve të saj ligjorë dhe zyrës së juristëve të themeluar brenda OEK.
Megjithatë, për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen në tregun e lirë të energjisë, KosovaPress ditë më parë ka siguruar edhe vendime të tjera që janë marrë nga Gjykata Komerciale e Kosovës.
Bizneset e Kosovës kishin organizuar protesta kundër vendimit të ZRRE, pasi sipas përfaqësuesve të bizneseve një veprim i tillë do të krijonte një ekonomi të rënduar në Kosovë.
Më 29 maj bizneset dolën në protestë si shenjë pakënaqësie lidhur me procesin e daljes së bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, duke bllokuar hyrje-daljet në Prishtinë.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë qëndron fuqishëm prapa deklarimeve të saj se procesi i liberalizimit është shoqëruar me një sërë shkeljesh procedurale dhe substanciale, të cilat janë evidentuar edhe nga institucionet evropiane.
Po ashtu edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit shqetësimet e saj të thella përkitazi me zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë, në dritën e aktvendimeve të fundit gjyqësore që pezullojnë ekzekutimin e vendimeve të lëshuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).











