Opozita kërkon sërish mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për policinë
(Lajm i përditësuar)
Opozita kërkon sërish mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për policinë
Partitë opozitare në Kuvend kanë kërkuar sërish mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për Policinë e Kosovës, pasi legjislativi nisi vazhdimin e seancës tjetër të planifikuar të enjten.
Kur po mbahet vazhdimi i seancës së javës së kaluar, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja theksuan nevojën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për policinë, meqenëse janë të pranishëm deputetët e mazhorancës.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se asnjë seancë tjetër nuk duhet të jetë prioritet më shumë sesa votimi i rezolutës për zbatimin e kërkesave të Policisë së Kosovës.
“Asnjë seancë tjetër dhe asnjë temë tjetër nuk është më me prioritet sesa siguria e vendit. Meqenëse ju e konstatuat se ky Kuvend ka kuorumin e mjaftueshëm për të marrë vendime unë kërkoj që të kthehet seanca e jashtëzakonshme dhe të procedojmë që të votojmë rezolutën, e cila kërkon të mbështeten kërkesat e Policisë së Kosovës”, tha ajo.
Kërkesë të njëjtë adresoi edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
“Paraprakisht ishte një kërkesë nga opozita për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme e cila kishte të bënte për një mbështetje urgjente për Policinë e Kosovës në infrastrukturë, paga dhe rrezikshmëri. Ju si kryetar i Kuvendit edhe në prani të shumicës parlamentare që ka ardhur këtu duhet të jepni një verdiktin për mbylljen apo vazhdimin e asaj seance të jashtëzakonshme”, theksoi Zemaj.
Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, duke theksuar nevojën për mbajtjen e seancës për policinë, ai paraqiti disa nga vështirësitë që policët po hasin në teren.
“Sot kryeministri Albin Kurti e ka paralajmëruar një skenar të destabilizimit të veriut të Kosovës. Unë e besoj se rrezikshmëria është e lartë dhe ka informacione se edhe mundet të ndodhë një destabilizim. Me atë çka po shohin në botë sot nuk përjashtohet edhe një konflikt i armatosur kudo qoftë. Askush më në botë nuk është i sigurt dhe aq më pak ne. E pamë se çka ndodhi më 24 shtator, dihet se reaguesi i parë është Policia e Kosovës, kurse kur flasim për kushtet që zhvillojnë punën dhe kur thirret seanca për të diskutuar për kushtet e tyre mungon pozita, mungon kryeministri dhe qeveria…Kur flasim për rrezikshmërinë, gjysma e policisë antiplumbat i kanë pa afat që dy vjet dhe nuk kanë sigurim shëndetësor dhe nuk kanë sigurim jetësor”, tha ai.
Mirëpo kryetari i Kuvendit tha se seanca e sotme e jashtëzakonshme për Policinë e Kosovës nuk është hapë fare, andaj nuk ka pasur nevojë për ta mbyllur atë.
Seanca e jashtëzakonshme për policinë ishte dashur të mbahej në orën 11:00, por dështoi për shkak të mungesës së deputetëve të pushtetit.
Në anën tjetër, kryeparlamentari Konjufca nuk hodhi në votim tri marrëveshje ndërkombëtare që ishin në rend të ditës, pasi nuk kishte kuorum për vendimmarrje.
Kuvendi po vazhdon punimet, ku aktualisht po shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Opozita me kritika për mospjesëmarrjen e pushtetit në seancën për Policinë
Opozita kritikon mospjesëmarrjen e pushtetit në seancën e jashtëzakonshme për Policinë e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se është e papranueshme dhe ikje nga përgjegjësia, mospjesëmarrja e mazhorancës në seancën e jashtëzakonshme në Kuvend të ftuar sot për Policinë e Kosovës.
Tahiri i ka bërë thirrje kryekuvendarit të Kosovës, Glauk Konjufca, që të sqarohet në mbledhjet e ardhshme, e të arrihet dakordim që seancat e jashtëzakonshme të mbahen edhe pa praninë e 61 deputetëve.
Kryekuvendari Glauk Konjufca ka thënë se do të diskutohet çështja në mbledhje të kryesisë.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se është për keqardhje, turp dhe e pamoralshme mungesa e shumicës parlamentare në seancën për Policinë e Kosovës.
Ai ka thënë se LDK-ja kërkon që pjesë e rezolutës së propozuar nga PDK-ja të bëhet edhe kërkesa për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Policinë e Kosovës.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, Ai ka thënë se ata mund të debatojnë por se debati ka kuptim vetëm nëse në seancë është edhe kryeministrit Albin Kurti.
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se nuk ka parë askund në botë që pushteti ta bojkotojë Kuvendin.
E deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e ka quajtur jodemokratike sjelljen e pushtetit.
Ajo i ka bërë thirrje kryekuvendarit Glauk Konjufca që të bëjë kërkesë për opinion ligjor dhe të përjashtojë tre anëtarë të VV-së për mungesa të paarsyeshme.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, i ka thënë kryekuvendarit të lirojë karrigen ose t’i bëjë ftesë subjektit politik të cilin e përfaqëson që të vijë në seancë.
Pushteti nuk merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme për Policinë
Partia në pushtet nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të ftuar për sot ku është paraparë të shqyrtohet propozim-rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, kjo u bë e ditur nga Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila.
Kusari-Lila ka thënë se si parti nuk do të marrin pjesë në seancën e ftuar nga PDK-ja.
Kuvendi sot mban seancë të jashtëzakonshme
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot (e enjte) në seancë të jashtëzakonshme.
Në rend dite është shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit, seanca do të nisë nga ora 11:00.











