Lëvizja e shoqërisë civile “Opre Roma Kosova” ka dënuar fuqishëm rastet e dhunës dhe të diskriminimit ndaj komunitetit RAE, në dy raste të ndara në Gjakovë dhe Prizren, të raportuara në media gjatë ditës së djeshme.
“Dënojmë fuqishëm përdorimin e tepruar të forcës ndaj qytetarëve të komunitetit rom dhe komuniteteve tjera në Kosovë, veçanërisht nga rasti i fundit rrahja brutale e pjesëtarit të komunitetit rome në njërën nga qendrat tregtare në Komunën e Prizrenit, e cili nuk është rasti i parë ku qytetaret po abuzojnë me komunitetin. Sot në Kosovë janë dy raste të shënuara njëra pas tjetrës si raste dhe dhunës dhe diskriminimit të pjesëtarëve të komunitetit rom, egjiptian, njëra e konfirmuar si dhunë (rrahje), dhe rasti tjetër diskrimini i të rinjve për tu shërbyer në lokalet ku frekuentojnë nga të rinjtë”, thuhet ne reagimin e tyre në Facebook.
“Opre Roma Kosova” ka adresuar këtë shqetësim në mënyrë që të mbrohen të drejtat dhe liritë themelore, e veçanërisht për romët që jetojnë në Kosovë.
“Do të dëshironim t’ua kujtojmë palëve e interesit, veçanërisht institucioneve të cilat janë përgjegjëse për shkelje të tillë se këto akte janë shumë të ulëta dhe dëmshme për shoqërinë Kosovare dhe për të drejtat e barabarta e për të cilat në ju bëjmë thirrje institucioneve gjegjëse të marrin masat e duhura për shkelësit e këtyre veprave. Kështu, në emër të parimeve demokratike dhe vlerave të Bashkimit Evropian, adresojmë këtë shqetësim në mënyrë që të mbrojmë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, veçanërisht për romët që jetojnë në Republikën e Kosovës, të cilat në mënyrë progresive mund edhe të shndërrohen në normale për të sulmuar komunitetin rom dhe për të cenuar të drejtat e njeriut në Kosovë”, thuhet tutje.
Ndërkaq, Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar katër persona në lidhje me incidentin në Qendrën Tregtare në Prizren./21Media










