Osmani: Drejtësinë ua kemi borxh secilës vajze e gruaje që përjetoi dhunën
Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar drejtësi për 18 vjeçaren e cila është vrarë mbrëmë në Ferizaj.
Në një postim në Facebook, Osmani ka thënë se vetëm drejtësia e dënimi për ata që po i kryejnë këto krime makabre ndaj grave e vajzave të Kosovës mund të ndryshojë situatën e trishtë të pabarazisë me të cilën përballemi sot në vend.
“Ne nuk mund të heshtim apo të vazhdojmë të lejojmë trajtimin e këtyre rasteve si çështje familjare. Jemi dëshmitarë të vrasjeve si rezultat i shmangies nga ligji të dhunuesve, ndaj kjo situatë duhet të marrë fund”, ka shkruar presidentja.
Ajo i ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojë me organet e rendit dhe ligjit në gjetjen e të dyshuarit për vrasjen e 18 vjeçares.
“U bëjë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të punojnë fort dhe pandërprerë derisa kryesit e veprave të tilla të gjenden prapa grilave. Dhuna ndaj vajzave e grave kërcënon paqen për të gjithë dhe mirëqenien e përgjithshme, por shoqëria jonë duhet të jetë e palëkundur dhe e vendosur në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit e dhunës ndaj vajzave e grave”, ka shkruar tutje Osmani.
Presidentja ka ngushëlluar familjen dhe miqtë e së ndjerës.
“Shpirti i saj do të pushojë në paqe atëherë kur të ketë drejtësi. Drejtësinë ua kemi borxh secilës vajze e gruaje që përjetoi dhunën nga ata që po marrin jetë e po i ikin përgjegjësisë”, ka shkruar presidentja./21Media








