Presidentes, Vjosa Osmani, zyrtarët e SHBA-së i kanë kërkuar ri-angazhim të Kosovës në proces të dialogut me Serbinë. Kërkesa iu ripërsërit gjatë takimit me ndihmës sekretarin e shtetit, James O’Brien, në margjinat e Samitit të NATO-s, ku Osmani po merr pjesë, Ajo ka takuar edhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
“E mirëprita presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Uashington. Ne jemi krenarë që mbështesim shtetin sovran, multietnik dhe demokratik të Kosovës. Është e rëndësishme që ne të qëndrojmë në hap për ta avancuar vizionin tonë të përbashkët. Gjithashtu folëm edhe për nevojën urgjente për t’u riangazhuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha O’Brien.
Osmani ndërkaq shkroi se takimet po i kontribuojnë thellimit të bashkëpunimit të Kosovës me SHBA. Deklaratat e saj pasojnë një periudhë të vështirësive të Kosovë snë marrëdhëniet me Amerikën,.
“Diskutim përmbajtjesor mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë amerikanë për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, si dhe për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë”, tha Osmani.
Derisa presidentja po qëndron për vizitë në Uashington, kryeministri, Albin Kurti, gjatë ditës qëndroi për vizitë në QKUK në përurimin e repartit të Urologjisë. Kurti i shmang përgjigjes kur u pyet për raportet e tij me zyrtarët amerikanë, të cilët kohët e fundit kanë pasur kritika ndaj Qeverisë për mos koordinim të veprimeve në veriun e vendit.
“Këtu jemi në Klinikën e Urologjisë dhe kam përshtypjen që kjo nuk ka lidhje me Klinikën e Urologjisë. Pas këtu do të shkoj në Malishevë dhe atje do të vizitoj një fermer jashtëzakonisht të suksesshëm. Kam përshtypje që nuk ka lidhje as me të. Pasdite do ta kemi një mbledhje të Qeverisë e mbase atje do të mund të jetë vendi për pyetje të tjera”, tha Kurti.
Por, kryeministri as në fillimit të mbledhjes së Qeverisë nuk foli për këtë temë, por as mbas saj nuk mbajti konferencë për gazetarë. Shmangja e Kurtit ndaj pyetjeve që kanë të bëjnë me raportet e tij me amerikanët është kritikuar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti.
“Po e përjetojmë kohën kur Kryeministri i Kosovës heziton të përgjigjet në pyetjet për marrëdhëniet e tij me SHBA-në Historikisht, qëndrimi i çdo zyrtari të Kosovës në këtë aspekt ka qenë i qartë dhe është folur me krenari për miqësinë e përhershme të Kosovës me SHBA-në”, tha Kurti.
Përveç mospajtimeve me zyrtarët amerikan, kryeministri, Albin Kurti, së fundmi ka pasur raporte jo fortë të afërta edhe me kryeministrit e Shqipërisë Edi Rama. Mospajtimet e dy udhëheqësve të qeverie përkatëse kulmuan më 6 korrik, kur Kurti refuzoi të takonte Ramën, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Prishtinë. Por, me Ramën u takua gjatë ditës presidentja Osmani në Samitin e NATO-s në Uashington.
“Me Kryeministrin Edi Rama, në margjina të Samitit të NATO-s në Uashington D.C. për t’i koordinuar qëndrimet dhe përpjekjet tona të përbashkëta në mënyrë që edhe Kosova, sa më parë, t’i bashkohet Shqipërisë dhe shteteve tjera aleate si anëtare me të drejta të plota në NATO, aty ku edhe e ka vendin”, tha Osmani.
Për njohësin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Lutfi Bilalli, ftesat e zyrtarëve amerikanë për presidenten Osmani për vizitë në SHBA dhe jo për Kurtin tregojnë qartë se amerikanët nuk kanë raporte të afërta me Kurtin.
‘’ Shenjat tregojnë që ka disa mospajtime dhe ato vërehen kur ka takime të nivelit ndërkombëtar. Sidomos ftesa ftesa ndaj presidentes dhe jo ndaj kryeministrit tregon qartë se kemi shenja jo të mira që tregojnë se diçka nuk është në rregull e tëra kjo nuk i sjellë të mira vendin”, tha Bilalli.
Megjithëkëtë ish-diplomati Bilalli vlerëson se vizita e presidentes në Uashington është sinjal i mirë për Kosovën.
‘’Vizita e presidentes ka një rendësie të vecnat sepse në Uashington presidentja ka mundësi të zhvillojë takime me liderët botëror. Besoj se fokusi i këtyre takimeve është që të tregohet se Kosova ka nevojë ndërkombëtarisht të jetë më aktive dhe të zgjerohet në aspektin e bashkëpunimit pse jo edhe të njohjeve”, shtoi Bilalli.
Sipas një njoftimi të Qeverisë, vizita e fundit zyrtare e kryeministrit Kurti në SHBA ishte bërë më 06 maj 2022. Në këtë vizitë dy javore Kurti kishte zhvilluar takime me senatorë e kongresistë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave shqiptaro-amerikane, por jo me zyrtarë të lartë amerikanë nga Shtëpia e Bardhë apo Departamenti i Shtetit./RTV21/21Media











