Osmani: Nexhat Daci do të mbahet mend si burrështetas, dijetar e intelektual i përkushtuar
(Lajm i përditësuar)
Basha: Nexhat Daci ishte personalitet i rrallë që bashkoi dijën me shtetin
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, në akademinë përkujtimore në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci shprehu ngushëllime familjes së tij.
Basha për Dacin tha se ishte shembull i intelektualit që e kuptoi arsimin dhe shkencën si mision kombëtar.
“Një personalitet i rrallë që bashkoi dijën me shtetin, mendimin akademik, me përgjegjësinë publike dhe urtësinë personale në interesin e përgjithshëm të Republikës sonë. Ai ishte shembull i intelektualit që e kuptoi arsimin dhe shkencën jo vetëm si profesion, por si mision kombëtar dhe mjet thelbësor të emancipimit tonë shoqëror. Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, shprehi ngushëllime më të sinqerta familjes së nderuar Daci, miqëve kolegëve, qytetarëve dhe gjithë komunitetit akademik e institucional të vendin tonë. Nderime të përjetshme kryetarit dhe akademikut, Nexhat Daci i qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, u shpreh Basha./21Media
Osmani: Nexhat Daci do të mbahet mend si burrështetas, dijetar e intelektual i përkushtuar
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në akademinë përkujtimore në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci, tha se ai ishte dijetar dhe intelektual i përkushtuar, teksa tha se ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e institucioneve demokratike.
“Sot jemi mbledhur për ta nderuar jetën dhe veprën e një njeriu që i përket kategorisë së njerëzve për të cilët historia flet me respekt të jashtëzakonshëm, jemi mbledhur për t’ia thënë lamtumirën akademik, Nexhat Dacit, burrë shtetas, dijetar dhe intelektual i përkushtuar me dije të thellë, integritet personal dhe përkushtim të pa lëkundur ai i shërbeu Kosovës si kryetar Kuvendi, ushtrues detyre i Presidentit, deputet, akademik dhe drejtues i institucioneve shkencore, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e institucioneve demokratike”, tha Osmani.
Për kontributin e Dacit në formimin e institucioneve, Osmani tha se ishte i qetë, derisa u shpreh se ai besonte në dialog, ligj, argument dhe në forcën e institucioneve.
“Kontributi i tij në formimin e institucioneve të Kosovës ishte e qetë por i thellë. Si kryetar Kuvendi ai e kuptonte se demokracia nuk ishte vetëm procedurë, por ishte edhe kulturë, nuk ishte vetëm rregull por edhe respekt, ai besonte në dialog, ligj, argument dhe në forcën e institucioneve që e mbijetojnë secilin individ, kjo ishte filozofia e tij shtet formuese”, theksoi presidentja Osmani./21Media
Kuvendi mblidhet në akademi përkujtimore për ish-kryetarin Nexhat Daci
Kuvendi i Kosovës është mbledhur për akademi përkujtimore për ish-kryeparlamentarin Nexhat Daci.
Kush ishte Nexhat Daci?
Akademik Daci lindi në vitin 1944 në Tërnoc. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Leskoc (1956–1960). Studimet universitare në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore – Dega e Kimisë në Beograd (1962–1966) i përfundoi me sukses të lartë, duke u diplomuar në qershor 1966. Studimet pasuniversitare i vijoi në të njëjtin fakultet (1966–1968), për të vazhduar më tej me specializim në Liège të Belgjikës (1970). Gradën e doktorit të shkencave e mori në Universitetin e Zagrebit (1973), ndërsa studimet postdoktorale i realizoi në Universitetin e Bradfordit – Angli (1974).
Karrierën akademike e nisi në vitin 1968 në Katedrën e Kimisë të Fakultetit Filozofik dhe u avancua në të gjitha titujt akademikë: ligjërues (1971), profesor inordinar (1974) dhe profesor ordinar (1984). Mori pjesë në dhjetëra konferenca e projekte shkencore brenda e jashtë vendit, duke përfaqësuar Kosovën në simpoziume ndërkombëtare në SHBA, Angli, Gjermani, Itali, Turqi, Hungari, Slloveni, Kroaci, Serbi, Shqipëri dhe Kosovë.
Akademik Daci ishte autor i dhjetëra librave universitarë dhe i qindra punimeve shkencore të botuara në revista vendore dhe ndërkombëtare, të cilat kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e kimisë, arsimit të lartë dhe kulturës shkencore në Kosovë.
Ai ishte anëtar i Shoqatës Kimike Amerikane (1985), i Akademisë Evropiane për Çështjet e Mjedisit (1987), si dhe anëtar korrespondent (1993) dhe anëtar i rregullt (1996) i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në vitin 2014 u pranua si anëtar i Akademisë Europiane së Shkencave dhe Arteve.
Në karrierën institucionale mbajti funksione të rëndësishme: Shef i Degës së Kimisë (1971–1973); Sekretar i Përgjithshëm i ASHAK-ut (1994–1999); Kryetar i ASHAK-ut (1999–2002 dhe 2018–2019). Në jetën publike ishte deputet i Kuvendit të Kosovës (2001–2011) dhe Kryetar i Parlamentit të Kosovës në dy mandate (2000–2004 dhe 2004–2006).











