Osmani pas takimit me Sorensen: Kosova të trajtohet e barabartë në dialog, masat po e dëmtojnë balansin e nevojshëm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Kosova meriton trajtim të barabartë në procesin e dialogut dhe në rrugën drejt BE-së, pas takimit të sotëm që pati me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
“Në takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Peter Sørensen, diskutuam dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja, sigurinë në rajon dhe integrimin evropian të Kosovës”, njoftoi Osmani në një postim në Facebook.
Ajo tha se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të cilat i quajti të padrejta, tha se po i dëmtojnë jo vetëm qytetarët, por “edhe balansin” në dialog.
“Kosova është dëshmuar tashmë si pala konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë por edhe balansin e nevojshëm në dialog”, ka shkruar presidentja.
Kjo është vizita e parë zyrtare në Kosovë e Emisarit të Posaçëm të BE-së, i cili u takua më pas edhe me kryeministrin Albin Kurti./21Media









