🇽🇰 Kosova
Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të at Antonio Belushit
nga Venera Grabanica20 qershor 2024
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të at Antonio Belushit.
Osmani ka shkruar se ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe për familjen e miqtë, kishën arbëreshe, institucionet e popullin arbëresh të Kalabrisë e gjithë Italisë së Jugut.
‘Me dhimbje të thellë mora lajmin për kalimin në amshim të at Antonio Belushit, veprimtarit të paepur të çështjes shqiptare, i cili përveç se kultivoi me pasion gjuhën arbëreshe, nga vitet ‘90, bashkë me Presidentin Rugova e veprimtarë të tjerë, e mbrojti të drejtën e shqiptarëve për liri. Ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe për familjen e miqtë, kishën arbëreshe, institucionet e popullin arbëresh të Kalabrisë e gjithë Italisë së Jugut.
Kam pasur nderin ta takoja në bibliotekën e pasur të tij, të cilën e krijoi dhe e mbajti me aq përkushtim deri në vdekje. Si Presidente e vendit, kur ia akordova shtetësinë e Kosovës, ishte i stërlumtur, sepse e iu plotësua dëshira e tij jetësore. I përhershëm qoftë kujtimi për at Antonio Belushin”, ka shkruar Osmani në Facebook.











