Osmani: Sportistët tanë me vite me radhë kanë qenë ambasadorët më të mirë të vendit
(Lajm i përditësuar)
Pas ndeshjes, së Kosovës me Zvicrën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se kjo ndeshje kishte emocione të mëdha
“Emocione të mëdha. Loja e sontme është nga ata shembujt që kur nuk dorëzohesh, suksesi është i pashmangshëm. Sportistët tanë me vite me radhë kanë qenë ambasadorët më të mirë të vendit. Këtë e dëshmuan edhe sonte. Sukseset e tyre po vazhdojnë”, ka thënë Osmani.
Kurti: Ka festë, ka krenari
Pas barazimit të Kosovës kundër Zvicrës në kuadër të ndeshjeve kualifikuese Euro 2024 ka reaguar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti ka thënë se mes Zvicrës së Xhakës, Shaqirit, Bislimit dhe Jasharit dhe Kosovës së Dardanëve, s’mund të ketë humbës.
Ai tutje ka thënë se Kosova besoi deri në fund, siç vazhdon të besojë ende në kualifikim.
“Ndërmjet Zvicrës së Xhakës, Shaqirit, Bislimit e Jasharit dhe Kosovës së Dardanëve, nuk mund të ketë humbës sepse ka festë, ka krenari. Besuam deri në fund, siç besojmë ende në kualifikim. Ju lumtë lojtarëve për rezultatin. Ju faleminderit për emocionet”, ka shkruar Kurti në rrjetet sociale./21Media









