OVL e UÇK-së kërkon shkarkimin e Dimal Bashës, në të kundërtën do të protestojnë
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka kërkuar zyrtarisht shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, për shkak të një publikimi shkencor që sipas tyre, përmban pretendime të pavërteta dhe denigruese ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati në një konferencë për media, deklaroi se kërkesa për shkarkimin e Bashës u është dërguar më 28 gusht të gjitha grupeve parlamentare në Kuvend, me përjashtim të Listës Serbe.
“Ne si organizatë do të marrim vendim që nëse në seancën e parë që do të mbahet, nuk marrin vendim partitë opozitare dhe LVV të shkarkojnë Dimal Bashën. Arsyeja është se ka bërë një botim shkencor, bashkërisht me një maqedone, e cila ka bashkëpunuar më të, ka shkruar një artikull kundër UÇK-së, se gjoja pjesëtarët e UÇK-së, në vitet e ’90, që është edhe më keq, në kohën kur kanë qenë gjallë, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe shumë tjerë dëshmorë, ka shkruar dhe thotë se janë merr me trafikim droge, që është e pavërtetë, një gënjeshtër. Dhe nëse Parlamenti ynë nuk merr vendim të shkarkojë Bashën, rruga do të jetë e pashmangshme. Ne nuk e preferojmë rrugën, por po na imponojnë, tash partitë politike po na imponojnë që të dalim në protestë dhe të kërkojmë shkarkimin e tij. Për protestë do të ju njoftojmë shumë shpejtë, pasi të kthehem prej Hagës, pasi e kemi edhe një protestë atje, dhe sot nuk mund të përcaktojmë datë, por me siguri do të jetë shumë shpejtë”, ka thënë Gucati









