Papa Françesku ka thënë se djegia e një kopjeje të librit të shenjtë të myslimanëve, Kuranit, e ka zemëruar dhe neveritur atë. Ai shtoi se e dënon dhe refuzon lejimin e një akti të tillë si një formë të shprehjes së lirisë së fjalës.
“Çdo libër që konsiderohet i shenjtë duhet të respektohet për t’i respektuar ata që besojnë në të”, tha Papa Françesku në një intervistë të dhënë për gazetën e Emirateve të Bashkuara Arabe, Al Ittihad, të publikuar më 3 korrik. “Ndihem i zemëruar dhe i neveritur nga këto veprime”.
“Liria e fjalës nuk duhet të përdoret kurrë si një mjet për t’i përçmuar të tjerët dhe lejimi i kësaj refuzohet dhe dënohet”, shtoi ai.
Një burrë grisi dhe dogji një kopje të Kuranit në kryeqytetin e Suedisë, Stokholm, javën e kaluar. Ky veprim solli kritika të shumta nga disa shtete, përfshirë Turqinë, mbështetjen e së cilës Suedia duhet ta fitojë për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s.
Gjykatat suedeze kishin vendosur që policia nuk kishte të drejtë ta refuzonte lejen për djegien e Kuranit.
Incidenti shkaktoi protesta në Iran dhe Irak. Teherani zyrtar ka shtyrë marrjen e vendimit për emërimin e një ambasadori të ri në Suedi.
Më 2 korrik, një organizatë islamike prej 57 shtetesh tha se nevojiten masa kolektive për t’i parandaluar aktet e përdhosjes së Kuranit dhe ligji ndërkombëtar duhet të përdoret për ta ndaluar urrejtjen fetare.










