Pas intervistimit reagon Peci: Epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur
Pas intervistimit nga Njësia e Veçantë Hetimore e Policisë së Kosovës pas disa bastisjeve të kryera dje me kërkesë të Prokurorisë Speciale, sot ka reaguar Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci.
Në Facebook Peci me theks te veçantë i ka përmendur ata që e kanë votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke thënë se është i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë “i njohur” për ta.
“Të dashur qytetarë, miq e familjarë; U jam mirënjohës për shprehjen e shqetësimit si dhe për solidaritetin e treguar gjatë ditës së djeshme, me rastin e intervistimit tim nga organet e rendit dhe drejtësisë. Me theks të vecantë, ju drejtohem 133,987 qytetarëve që më kanë dhuruar gjënë më të shenjtë; besimin! Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në cdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare”, shkroi Peci.
Ministri në detyrë tha se “çdo shkronjë, fjalë, si në të shkruar ashtu edhe e thënë, është e qasshme për secilin që ka interesim”.
Intervistimi i Pecit dhe bastisjet e kryera në Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Agjencinë e Veterinarisë, u bënë në kuadër të një aksioni të ndërmarrë lidhur me dyshimet që kanë të bëjnë me një fabrikë për mbetjet shtazore.
Peci dyshohet se pa ankand publik, ia ka dhënë kompanisë “LIP KS & IT SH.P.K” me qira për 20 vjet impiantin publik për mbetjet shtazore.











