Partia Demokratike e Kosovës sot ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për pezullimin e vendimit të ZRRE-së për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Pas dorëzimit të kësaj kërkese, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri tha se vendimi i padrejtë i ZRRE-së ka rrezikuar qindra-mijëra vende pune, raporton KosovaPress.
“Në mbrojtje të interesit publik, në mbrojtje të qindra-mijëra vendeve të punës në vendin tonë, në mbrojtje të ekonomisë së vendit tonë sapo deponuam kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, e cila në mënyrë të dhunshme nxjerr rreth 1300 biznese në të ashtu quajturin treg të lirë, sepse treg të lirë të energjisë elektrike nuk ka, nuk kanë krijuar kushte duke rrezikuar qindra, mijëra vende pune në vendin tonë dhe duke rrezikuar edhe ata pak prodhues e ndërmarrës në vendin tonë që mbajnë gjallë ekonominë e vendin tonë“, theksoi ai.
Deputeti Tahiri tha se përmes deponimit të kësaj kërkese në Kushtetuese sot si parti kërkuan masë të përkohshme në mënyrë që të pezullohet implementimi i vendimit për liberalizim të tregut të energjisë elektrike.
“Kemi argumentuar mjaftueshëm mirë që këto vendimet të këtyre gjykatave dhe niveleve bien dhe janë në kundërshtim me rendin kushtetues dhe Kushtetutën e Kosovës. Prandaj, ne sot kërkuam një masë të përkohshme fillimisht nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në mënyrë që të pezullohet implementimi i këtij vendimi dhe pastaj të shqyrtohet merita dhe pastaj që ky vendim në tërësi të anulohet”, theksoi Tahiri.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës tha se tashmë rreth 900 bizneseve të mëdha dhe të mesme iu është shkëputur energjia elektrike.
“Rreth 900 biznese të mëdha dhe të mesme iu është shkëputur energjia elektrike dhe ata njerëz çdo ditë e më shumë kanë hyrë në krizë të thellë sepse mbesin pa paga. Ekonomia e vendit po rrënohet, kujt i konvenon ky vendim? Tashmë është një grup i ngushtë kriminal fatkeqësisht rreth zyrës së kryeministrit, këshilltarë të kryeministrit që shesin energjinë elektrike dhe këto biznese dhe këta njerëz janë të detyruar të bëjnë rreth 280% më shtrenjtë energji elektrike sesa e kanë paguar deri para pak muajsh”, u shpreh ai.
Nga 1 qershor i këtij viti hyri në fuqi vendimi për liberalizimin e tregut, sipas të cilit të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, janë të obliguara të kalojnë në tregun e hapur. Për të mos mbetur pa energji pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi për mbi dy muaj bizneset u furnizuan përkohësisht nga KEK-u, e nga 16 gushti ka nisur shkyçja e tyre.











