Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

​Për herë të katërt dështon konstituimi i Komisionit hetimor për rezervën shtetërore

nga B G13 tetor 2023
​Për herë të katërt dështon konstituimi i Komisionit hetimor për rezervën shtetërore

Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore edhe pas tentativës së katërt nuk është konstituar, shkaku i mungesës së partisë në pushtet.

Kryesuesi në këtë komision, Rashit Qalaj tha se në këtë formë, pushteti po mundohet t’i ikë të vërtetës lidhur me keqpërdorimin me rezerva shtetërore.

Shala tha se pavarësisht tentimeve të Qeverisë për mos konstituimin e këtij komisioni, opozita nuk do të ndalet.

“Patëm një bojkot në seancën e jashtëzakonshme. Sot paradite ka qenë një bojkot tjetër ku kanë qenë e ftuar Sindikata e Policisë dhe tashmë po e shihni se edhe në këtë komision nuk janë prezentë, ka bojkot nga partia në pushtet. Kjo ka vetëm një shpjegim, ata janë thjesht duke u munduar që t’i ikin të vërtetës për keqpërdorimet në MINT në lidhje me rezervat shtetërore. Jemi duke ardhur të gjithë në çdo në Komision çdo ditë, duke tentuar që të zbardhet e vërteta për keqpërdorimet në rezervat shtetërore dhe dyshimet për hajni në këtë ministri”, tha Qalaj.

Deputeti Qalaj tha se do t’i drejtohen kryetarit të Kuvendit në lidhje me mungesat për katër herë të deputetëve të VV-së.

“Dje në seancën e jashtëzakonshme, deputetja Doarsa-Kica ju ka drejtuar kryetarit Konjufca për mungesën e deputetëve të VV-së dhe për shqetësimin e radhës se a duhet të ftohen sërish apo jo në mbledhjet e ardhshme…Ne do ta autorizojmë administratën që të hartojë shkresën, kryetarit të Kuvendit se çfarë të veprojmë tutje. Është hera e katërt që po mungojnë, por që do ta presim një mendim nga Zyra Ligjore. Përndryshe, ne nuk do të ndalemi, po tentojmë që të funksionalizojmë këtë komision pavarësisht bojkotit që po bëjnë LVV, të cilët tanimë siç duket janë shndërruar në opozitë të vetvetes”, shtoi Shala.

Ndërkaq, akuza ndaj partisë në pushtet sa i përket bojkotit në këtë komision pati edhe Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku. Sipas saj, bojkoti po bëhet me urdhër të kryeministrit Albin Kurti.

“Kjo po duket se e kanë urdhrin nga Albin Kurti, sepse përherë ka qenë se edhe rezervat ku blihen është dashtë me qenë sekret, por vendi ku ruhen duhet me qenë sekret… Këtë keqpërdorim nuk mund ta arsyetojnë, shumë skandale janë bërë në këtë ministri…dhe tani e kanë urdhrin prej tij diktatorit (Albin Kurti) që nuk i lejon deputetet të jenë pjesë këtu, se nuk kanë fjalë të arsyetojnë këtë keqpërdorim”, tha Bunjaku.

Ideja për formimin e Komisionit hetimor lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore ka ardhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës
LAJMI TJETËR →
Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës

Më të fundit

Të gjitha →