Dy persona janë arrestuar si pasojë e një rrahje masive që ka ndodhur mbrëmë vonë në Gjakovë.
Nga ky rast disa persona kanë pësuar lëndime trupore, ndërsa dyshohet se aty është përdorur edhe arma e zjarrit.
Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë nga rajoni i Gjakovës Sheremet Elezaj.
“Me datë 12 dhjetor 2024, rreth orës 01:30, kemi pranuar një informatë për një përleshje fizike mes dy grupeve në rrugën “Martirët e Lirisë” në Gjakovë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë arrestuar dy të dyshuar (meshkuj të moshës madhore), të cilët dyshohen se janë përfshirë në përleshje. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, dhe hetimeve të zhvilluar janë gjetur dhe sekuestruar: një fishek, një karikator dhe një thikë. Me urdhër të prokurorit të shtetit dy personat e arrestuar janë ndalur në mbajtje si dhe është iniciuar rast “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa hetimet janë në proces për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton Elezaj. /21Media











