Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

Personat me aftësi të kufizuara të rrezikuar nga qenët endacak

nga Venera Grabanica19 nëntor 2024
Personat me aftësi të kufizuara të rrezikuar nga qenët endacak

Qytetarët e Gjilanit janë të rrezikuar nga qenët endacak, e sidomos personat me aftësi të kufizuara të cilët e kanë më të vështirë vetëmbrojtjen. Në Komunën e Gjilanit thonë se gjendja është e rënduar dhe se zgjidhja e vetme do të ishte ndërtimi i një strehimoreje.

I ulur në karrocë pastron e mbledhë mbeturina në rrugët e Gjilanit tash e 17 vjet. Por, përveç vështirësive për t’u qasur në hapësirat publike, për Avdyl Ibishin nga Gjilani qentë endacak janë kthyer në sfidë të madhe.

“…kom me u detyru me lanë punën…s’mundem gjithë me luftu me qentë endacak, s’kom fuqi…”, tha Avdyli për RTV21.

55 vjeçari çdo mëngjes përballet me qentë endacak dhe në pamundësi për t’u vetëmbrojtur hodhi mjete piroteknike në mënyrë që qentë të shpërndahen. Veprimi I tij e çoi në stacionin policor të Gjilanit.

“…të shtunën, po i bjen qe tri ditë apo katër, po i bjen me matjen dimërore filloj në ora 7-të punën, këtu te parku i qytetit. Kolegët ishin shpërndarë në terren për me i kry punët e veta, e unë kom metë këtu në park. Në atë moment kur jom kanë tu i kry punët, kanë ardhë rreth 15 qenë endacak, dhe jom detyru si gjithëherë viteve të fundit me pasë mjete piroteknike për me i tremë. I kom hudhë nja dy ose tri mjete shpërthyese edhe janë largu fatmirësisht. Ndërkohë jemi angazhu nëpër pjese tjera të qytetit, e në ora 10:15 po me thërret policia e Gjilanit. Kur shkova në stacion, togeri dhe filloj me i kallxu nenet dhe ligjet e qenëve dhe jo ligjet apo të drejtat e një personi me aftësi të kufizuara…”, tha Avdyl Ibishi.

Problemi me qentë endacak është thelluar më shumë kohët e fundit thotë drejtori i Bujqësisë e Pylltarisë në Gjilan, Bajram Isufi. Sipas tij bllokimi i buxhetit të kësaj komune ka shkaktuar pengesa në projekte, sidomos në atë të qenëve endacak, pasi janë të parapara rreth 50 mijë euro. Isufi thotë se e vetmja zgjidhje për këtë dukuri është ndërtimi i një strehimoreje.

“…gjendja nuk është e mirë. Ne si drejtori dhe si komunë kemi bë përpjekje që ti trajtojmë ata. Kemi vaksinuar, sterilizuar dhe deri më tani për dy vite kemi trajtuar 916 qenë endacak. Dmth gjendja nuk është e mirë po shpresojmë që në të ardhmen ta kemi një strehimore që të jetë për rajonin e Gjilanit…strehimorja është projekt jashtë buxhetit e mundësive të komunës dhe po shpresojmë që ta bëjë niveli qendror, sepse ne skemi fonde të mjaftueshme…” ndërtimi i një strehimoreje do ta ulte këtë dukuri të trezikut, e vetmja alternativë është strehimorja…”, tha për RTV21 Bajram Isufi nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë.

Personat me aftësi të kufizuara edhe kur marrin rrugën për në Handikos, janë mëse të rrezikuar, pasi si në çdo pjesë të qytetit edhe kjo zonë është e mbushur me qenë endacak.

Edukatorja psiko-sociale, Naxhije Salihu tha se këto sulme të qenëve endacak po ndikojnë shumë në aspektin emocional të këtij komuniteti, pasi disa prej tyre nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore të largohen dhe si pasojë pësojnë frikë.
I
“Përpos qasjes në qytet, qenët endacak janë problem tepër i madh për personat me aftësi të kufizuara. Ata janë shumë të rrezikuar si në qytet ashtu edhe këtu afër handikosit. Kur vijnë anëtarët këtu në Handikos duhet me dalë me i shoqëru ose me dalë shoferi me i përcjellë deri të vijnë e të shkojnë shkaku i qenëve. Ata s’janë të aftë me ikë kështu që po duhet me i mbrojtë…”, tha Salihu.

Në Stacionin Policor të Gjilanit deklaruan se nuk ka rast të hapur e as të evidentuar për Avdyl Ibishin për sulm ndaj qenëve endacak./RTV21/21Media

Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës
LAJMI TJETËR →
Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës

Më të fundit

Të gjitha →