🏛️ Politikë
Petkoviq: Serbia do të kërkojë një seancë urgjente të OKB-së për shkak të synimit të Kurtit për të “pastruar Kosovën” nga serbët
nga Venera Grabanica20 shtator 2023
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë se ka marrë urdhër nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të filluar procedurën për thirrjen e seancës urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë dhe siç ka thënë ai ”synimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të spastruar Kosovën nga serbët”
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media Petkoviq tha se “çështja është se kur do ta dërgojmë zyrtarisht kërkesën dhe kur do të mbahet ajo seancë (në OKB), raporton n1info.rs.
Ai tha se me arrestimet e fundit të serbëve, disa prej të cilëve janë akuzuar për krime ”të supozuara të luftës, Kurti po krijon një situatë që çon në provokimin e luftës”.
Sipas tij, mëngjesin e sotëm janë arrestuar tre serbë, të cilët policia e Kosovës i ka dërguar në Prishtinë dhe se në Leposaviq është duke u zhvilluar një aksion policor.









