Policia gjermane arreston tifozët serbë pas sherrit me anglezët
Policia gjermane ka njoftuar mbrëmjen e sotme se ka arrestuar shtatë tifozë serbë të përfshirë në përleshje me anglezët në Gelsenkirchen, pak para fillimit të ndeshjes ndërmjet Serbisë dhe Anglisë në evropianin e futbollit.
Policia e Gelsenkirchen tha në një deklaratë se oficerët kanë ndërhyrë për të ndaluar një konfrontim mes tifozëve serbë dhe anglezë.
“Policia e trazirave u vendos dhe ndau dy kampet e tifozëve. Ata morën shtatë përkrahës serbë në paraburgim dhe ngritën një kallëzim penal për lëndim të rëndë trupor”, thuhet në deklaratë.
Policia gjermane njoftoi më parë se kishte vendosur forca shtesë nga frika e incidenteve.
Ndeshja e Euro 2024 mes Anglisë dhe Serbisë u klasifikua si me rrezik të lartë nga policia për shkak të shqetësimeve për dhunën e mundshme të tifozëve.










