Në vitin 2021, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 447 raste të pacientëve të sëmurë nga tuberkulozi ose me incidencë rreth 25 në 100 mijë banorë.
Ministria e Shëndetësisë thotë se duke qenë se ka edhe numrin më të madh të banorëve, Prishtina prin me 178 raste të kësaj sëmundje.
“Gjithashtu, kemi më shumë prekje të grup-moshave mbi 65 vjeçe dhe po ashtu një numër më të madh të pacientëve meshkuj”, thotë MSH-ja.
Pandemia ka ndikuar negativisht në sëmundjen e tuberkulozit dhe tek pacientët, në qasjen e tyre në shërbime shëndetësore, pamundësinë për t’ju afruar diagnostikën laboratorike të duhur për këto dy vjet, pamundësinë e ndjekjes së trajtimit të tyre përgjatë periudhës 6-9 mujore, pa përmendur ndikimin social dhe ekonomik të pandemisë.
“Investimet në sëmundjen e TB-së në periudhën (2019-2021) janë fokusuar në trajtimin e TB-së, zbulimin dhe diagnostikimin e rasteve të TB-së, zbulimin e rasteve MDR-TB, diagnostikimin dhe trajtimin e MDR-së dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së objekteve të TB-së. Janë bërë investime të konsiderueshme në prokurimin e barnave kundër tuberkulozit 100% barna të linjës së parë dhe 100% barna të linjës së dytë për TB, 100% mediume të ngurta dhe të lëngshme për diagnostikimin e TB. Edhe gjate viteve te ardhshme 2022-2024 do të vazhdojë përkrahja dhe ndihma nga partneri dhe donator kryesor i TB , Fondi Global per TB, HIV dhe Malarie. Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në arritjen e vizionit për një Kosovë pa TB! Vit pas viti në arritjen e këtij vizioni do të rriten investimet në shërbimet shëndetësore dhe përkrahja për pacientet me TB!. Për të arritur “Një Kosovë pa TB”!”, thotë MSH-ja.
Më 24 mars shënohet Dita Botërore e Tuberkulozit, për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale dhe ekonomike të sëmundjes së tuberkulozit dhe për të rritur përpjekjet për t’i dhënë fund epidemisë globale të TB-së.
Kjo datë shënon ditën e vitit 1882 kur Dr. Robert Koch njoftoi se kishte zbuluar bakterin që shkakton TB, i cili hapi rrugën drejt diagnostikimit dhe shërimit të kësaj sëmundjeje./21Media








