Zyra Kombëtare e Auditimit ka zbuluar që një profesor në UP paguhet që 7 vjet pa punuar
Një profesor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, paguhet tash e shtatë vjet, pavarësisht që nuk ka kontratë pune dhe as nuk mban ligjërata.
Kjo është shpërfaqur në raportin e auditimit të pasqyrave financiare të UP-së të bërë nga Zyra Kombëtare e Auditimit. ZKA-ja ka gjetur se në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike Kompjuterike, një profesor merr rrogë të plotë, megjithëse kontrata me UP-në nuk i është përtërirë që nga viti 2010.
“Gjatë diskutimeve me zyrtarët e UP-së kemi kuptuar se shkak për mosvazhdimin e kontratës ishin problemet e tij shëndetësore. Megjithëse, ai kompensohet në vazhdimësi, edhe pse nuk ofron shërbimet për çka kompensohet”, thuhet në raportin e auditorit, raporton Kallxo.com
Auditori thotë se pagesat ndaj personit i cili nuk është i aftë të ofrojë shërbimet paraqesin barrë të panevojshme dhe dëmtojnë buxhetin e UP-së.
“Mbajtja në listën e pagave e personit në fjalë, për shkak të kufizimeve buxhetore e pamundëson rekrutimin e një stafi i cili do të ofronte shërbimet e nevojshme”, thuhet tutje në raport.
Auditori i Përgjithshëm ka kërkuar nga Rektori i UP-së që të shikojë nëse në Universitet ka raste të tjera kur profesorët marrin pagën e plotë përkundër që nuk janë të rregullt në punë.










