Kushdo që ka pasur ndonjëherë një infeksion serioz e di se si duket: humbje e oreksit, ethe, rraskapitje dhe humbje peshe.
Por pse po ndodh kjo? A është kjo thjesht rezultat i faktit se ne hamë më pak apo ka një arsye më të thellë biologjike? Një ekip shkencëtarësh nga Fakulteti i Mjekësisë në Rjekë të Kroacisë ka ofruar një përgjigje shumë të detajuar në një studim të ri.
Studiuesit kanë treguar se simptomat që përjetojmë gjatë një infeksioni nuk shkaktohen domosdo nga vetë patogjeni, por në fakt krijohen nga sistemi ynë imunitar. Ky është një fenomen i njohur si “metabolizmi i sëmundjes”.
Edhe pse prej kohësh dihet se sëmundja shkakton humbje të oreksit, hulumtimi i ri i publikuar në revistën prestigjioze Nature Metabolism zbulon se diçka edhe më e rëndësishme po ndodh në sfond, raporton KosovaPress.
Humbja e peshës nuk varet vetëm nga dieta
“Kjo ishte një pjesë kyçe e informacionit: humbja e yndyrës nuk ishte rezultat i urisë, por një përgjigje aktive ndaj infeksionit,” shpjegon Mia Krapiq, autorja e parë e këtij studimi.
Por përse trupi do të fillojë të thyejë vetë rezervat e tij të yndyrës? Është treguar se disa qeliza imune, veçanërisht qelizat B, preferojnë të përdorin lipide në vend të glukozës si burim energjie. Kur lipidet janë të disponueshme për ta në qarkullimin e gjakut, qelizat B luftojnë infeksionin në mënyrë më efektive.
Kur yndyra ndihmon imunitetin
Në studim, shkencëtarët bllokuan eksperimentalisht lirimin e lipideve nga indi dhjamor te minjtë e infektuar për të parë se çfarë do të ndodhte. Pas eksperimentit, kishte më shumë virus në trup dhe përgjigja imune ishte më e dobët.
I njëjti reagim u vërejt në qelizat imune të njeriut – ato funksionuan më mirë kur furnizoheshin me lipide. Zbulimi sugjeron se mekanizmi i çlirimit të yndyrës gjatë infeksionit ekziston edhe te njerëzit, jo vetëm te kafshët laboratorike.
“Lipidet nuk janë gjithmonë armiq. Përkundrazi, gjatë infeksionit ato bëhen aleatë të sistemit imunitar”, thotë doktoresha Inga Kavazoviq, një nga autoret kryesore.
Shpresa e re në luftën kundër rraskapitjes së pacientëve me kancer
Zbulimi ka gjithashtu implikime të rëndësishme për të kuptuar një nga simptomat më të vështira në fazën terminale të kancerit – sindromën e kaheksisë ose sëmundjen e dëmtimit. Gjatë kësaj faze, trupi fillon të djegë rezervat e veta të yndyrës dhe më pas masën muskulore, edhe kur pacientët marrin lëndë ushqyese direkt në gjakun e tyre.
Shkencëtarët besojnë se dëmtimi i rëndë i indeve në kancerin e avancuar mund të mashtrojë sistemin imunitar dhe të aktivizojë të njëjtat mekanizma si në një infeksion viral. Por duke qenë se “virusi” nuk ekziston dhe nuk eliminohet kurrë, trupi hyn në një spirale të vetëshkatërrimit.
“Nëse hipoteza jonë është e saktë, ne mund të përpiqemi ta ndalojmë këtë proces duke bllokuar sinjalet imune që shkaktojnë lirimin e lipideve. Kjo do t’i hapte rrugën terapive të reja për të ngadalësuar kaheksinë,” thotë Felix Wensveen, udhëheqës i ekipit nga Rjeka.
Megjithëse rezultatet janë premtuese, autorët paralajmërojnë se kërkimi është në fazat e hershme. Nevojitet testime dhe konfirmime shtesë të mekanizmave në një popullatë më të gjerë dhe në kushte të ndryshme klinike.










