Senati amerikan votoi për të miratuar një projektligj të ri prej 40 miliardë dollarësh për të ofruar ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën. Është paketa më e madhe e ndihmës emergjente deri më tani për Ukrainën.
Paketa e çon ndihmën totale të SHBA-së të dërguar në Ukrainë në më shumë se 50 miliardë dollarë, duke përfshirë 6 miliardë dollarë për asistencë sigurie si trajnime, pajisje, armë dhe mbështetje.
Projektligji, i cili u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve me mbështetje të gjerë dypartiake më 10 maj, pritej të miratohej në fillim të kësaj jave, por u bllokua nga republikani i Kentakit, Rand Paul për një mosmarrëveshje rreth mbikëqyrjes së shpenzimeve, shkruan rtv21.tv
Por udhëheqësi i Senatit republikan, Mitch McConnell hodhi poshtë këto shqetësime dhe u tha gazetarëve se Kongresi kishte një përgjegjësi morale për të mbështetur vetëmbrojtjen e një demokracie sovrane.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vlerësoi paketën e ndihmës si një kontribut të rëndësishëm të SHBA-së për rivendosjen e paqes dhe sigurisë në Ukrainë, Evropë dhe botë./21Media









