Koalicioni qeverisës ka kundërshtuar nismën ligjore të LDK-së për ndryshimet në tri ligje, të cilat kanë të bëjnë me reformën fiskale 2, të nisur nga ish-Qeveria Mustafa, por e mbetur në gjysmë për shkak të shpërndarjes së Kuvendit
Nisma e LDK-së ishte ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për tatimin në të ardhurat personale, Ligji për tatimin në të ardhurat e korporatave dhe Ligji për tatimin në vlerën e shtuar.
Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se në vitin 2017 është miratuar pakoja e dytë fiskale, ku janë përgatitur 22 masa fiskale dhe në kuadër të këtyre masave përfshihen plotësimi dhe ndryshimi në kuadër të këtyre tri ligjeve bazike.“Më konkretisht, në ligjin për të ardhurat korporatave është paraparë që tatimi i mbajtur në burim për grumbulluesit e produkteve bujqësore të hiqet, i cili ka qenë deri tash 3 për qind, dhe të rregullohet mënyra e tatimit të kompanive të sigurimit, të cilat deri tash kanë paguar 5 për qind të tatimit të hyrave bruto, ndërsa tash me këtë projektligj ato do të kalojnë në tatimin e rregullt sikur çdo kompani tjetër në Kosovë. Në ligjin për TVSH-në është paraparë që të njihet çështja e TVSH-së për kompanitë e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve dhe te zbatimi i TVSH-së për tregti me ari brenda vendit, kështu që TVSH-ja të zbatohet vetëm në vlerën e shtuar të arit të përpunuar”, tha Hoti.
Ai shtoi se plotësim-ndryshimet në këto ligje vijnë pas rezultateve të dhëna reforma fiskale 1. “Me këtë ligj kanë përfituar bizneset dhe gjatë vitit 2016 vlerësohet se janë 47 milionë euro që kanë përfituar bizneset private në Kosovë. Bizneset e mëdha janë rritur në Kosovë si rezultat i kësaj pakoje me 12 për qind. Pra, numri i kompanive të mëdha është rritur nga 221 në 248 dhe gjithashtu punësimi është rritur me rreth 5 mijë persona në këto ndërmarrje. Edhe qytetarët kanë përfituar, të cilët kanë përfituar rreth 24 milionë euro nga ulja e TVSH-së nga 16 në 8 për qind për një numër të mallrave dhe shërbimeve”, tha Hoti.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se ish-qeveria tash po mundohet ta korrigjojë veten. “Është ditur që tatimi në burim kur bëhet fjalë për prodhimin vendas nuk mund të vendoset te secili subjekt që kryen një pjesë të procesit, sepse në fund i ngarkohet çmimit. Edhe pse prodhimi i ka disa cikle derisa të dalë në treg, e ne e dimë që këto cikle i kryejnë personat fizikë apo kompani të caktuara, ama në fund mbetet i njëjta produkt, produkti nuk rritet rrugës.”, tha Kurti.
Deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, ka kërkuar që të mos miratohen këto projektligje, duke thënë se janë mesazh jo i mirë për investitorët e huaj. “Nëse për çdo muaj shkojmë në plotësim-ndryshim të ligjeve, atëherë kjo do të jetë një ngarkesë përgjithësisht për sistemin tatimor për Administratën Tatimore dhe do të shkaktonte një pasiguri juridike tek investitorët e huaj dhe janë sfiduese për bizneset vendore”, u shpreh Hadërgjonaj.
Edhe shefi i Grupit parlamentar i AAK-së, Ahmet Isufi, e vlerësoi hap të ngutshëm këtë veprim të LDK-së, duke u shprehur kundër. “Meqë këto tri projektligje janë në agjendën qeveritare, atëherë s’e di pse ka nevojë të ketë iniciativa të vilat e dublifikojnë punën tonë.”, tha Isufi.
Pushtetit iu bashkua edhe partia opozitare, PSD. Shefi i deputetëve të kësaj partie, Dardan Sejdiu, tha se janë kundër pasi problemi nuk po trajtohet në thelb, por vetëm po bëjnë fizkulturë. “Duke e pasur parasysh që Qeveria tashme këto tri ligje i ka dërguar në FMN për shqyrtim dhe duke pasur parasysh që ka ekzistuar një diskutim që të mos bëjmë këso lloj diskutimesh, PSD do të votojë kundër, duke u nisur vetëm prej premisës së thjesht se po bëjmë fizkultura të vogla në sistemin tatimor pa e trajtuar problemin në thelb…Problemi në thelb është sistemi të cilin e kemi vendosur në këtë vend tash e 18 vite”, tha Sejdiu.
Edhe Nisma Socialdemokrate nuk ka mbështetur plotësim-ndryshimin e këtyre tri ligjeve.








