Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

Kurti shkruan për takimin me Shefin CIA-s, vizitën e quan historike, Burnsin diplomat briliant

nga Kaltrina Berila23 gusht 2024
Kurti shkruan për takimin me Shefin CIA-s, vizitën e quan historike, Burnsin diplomat briliant

(Lajm i përditësuar)


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vizitën e shefit të CIA-s, William Burns, e ka cilësuar si historike, e Burnsin si diplomat briliant.

Kurti ka deklaruar se “Qeveria po i menaxhon sfidat e brendshme të sigurisë suksesshëm, e drejtuar nga forca e ligjit të drejtë me institucione e mekanizma të shtetit tonë demokratik”.

“Marrëdhëniet e fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duam t’i forcojmë e zgjerojmë edhe më tej. Vizita e Drejtorit të CIA-s, diplomatit briliant William Burns, ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin tonë strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë”, ka deklaruar Kurti.


Qeveria pas takimit Kurti-Burns: Moment i rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot priti në takim Drejtorin e CIA-s, William Burns.

Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për media ka theksuar e kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n.

“Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë.
Kryeministri Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë. Kryeministri Kurti e njoftoi Drejtorin Burns me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik. Në këto tri vitet e fundit, ai shtoi që Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% kurse buxheti shtetëror për 35%, me ç’rast 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor i dedikohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.


Përfundoi takimi ndërmjet Kurtit dhe shefit të CIA-s

Shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane, CIA, William Burns, është duke qëndruar në Kosovë.

Ai të premten në mëngjes është pritur në takim nga kryeministri, Albin Kurti. Para orës 10:00 Burns është larguar nga Qeveria, raporton rtv21.
Takimi ka zgjatur rreth 45 minuta në objektin e qeverisë.
Ai ishte shoqëruar nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Shefi i CIA-s takon edhe kryeministrin Kurti

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), William Burns është duke qëndruar në një vizitë në Kosovë.

William Burns sot është duke zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës.

Ky takim vjen pasi të enjten ai ka zhvilluar takim edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe shefin e AKI-së, Petrit Ajeti.

Rreth takimeve të së enjtes nuk është deklaruar askush nga palët.

Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës
LAJMI TJETËR →
Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës

Më të fundit

Të gjitha →