Rasti Thaçi dhe të tjerët, Bajraktari: S’ka më arsye ligjore për paraburgim
(Lajm i përditësuar)
Rasti Thaçi dhe të tjerët, Bajraktari: S’ka më arsye ligjore për paraburgim
Avokati Ardian Bajraktari, i ftuar në emisionin “Click” të RTV21, ka komentuar rrëzimin e mocionit të mbrojtjes për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, përmes të cilit kërkohej rrëzimi i aktakuzës. Ai kritikoi vazhdimin e masës së paraburgimit, duke e cilësuar atë si të pajustifikuar në bazë të ligjit dhe praktikës gjyqësore evropiane.
“Së pari, masa e paraburgimit si masa më e ashpër – vlerësoj se që nga fillimi i prillit, kur Prokuroria ka përfunduar me dëgjimin e dëshmive, nuk ekziston më asnjë arsye ligjore për ta vazhduar këtë masë. As sipas ligjit, e as sipas praktikës së Gjykatës Evropiane kjo nuk qëndron,” u shpreh Bajraktari.
Bajraktari: Gjykata Supreme ka bërë të qartë – s’mund të jesh njëkohësisht deputet dhe ministër
Avokati Ardian Bajraktari, i ftuar në “Click” të RTV21, ka sqaruar çfarë nënkupton papajtueshmëria e funksioneve në sistemin kushtetues të Kosovës.
Ai theksoi se një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksione të ndryshme shtetërore, siç janë posti i deputetit dhe ai i ministrit.
“Papajtueshmëria nënkupton se, në të njëjtën kohë, një person – kushdo qoftë ai – nuk mund të jetë edhe deputet, edhe ministër, apo të mbajë ndonjë funksion tjetër. Diku nëpër botë kjo është e mundur, por sistemi ynë nuk e lejon. Kjo është e qartë dhe e konfirmuar nga Gjykata Supreme,” tha Bajraktari.
Bajraktari: Kush nuk respekton vendimet e Gjykatës, me të merret prokuroria
Avokati Ardian Bajraktari, i ftuar në emisionin “Click” të RTV21, ka komentuar vendimet e Gjykatës lidhur me qeverinë në detyrë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të ligjit nga çdo zyrtar shtetëror, përfshirë edhe kryeministrin.
“Njerëzit që nuk e respektojnë dhe e shkelin ligjin, me ta duhet të merret prokuroria,” tha Bajraktari.
Ai gjithashtu konfirmoi se kryeministri në detyrë është ftuar në cilësinë e dëshmitarit në një rast gjyqësor dhe shtoi se ”Mosparaqitja e çdo dëshmitari është e paraparë me gjobë. Nuk e di se si ka ecur më tutje ai rast,” theksoi ai.











