Rasti “Veteranët”- Polemika mes anëtarit të trupit gjykues dhe mbrojtësit të Agim Çekut
Në seancën e së martës në rastin e njohur si “Veteranët”, kishte polemika mes anëtarit të trupit gjykues Ngadhnjim Arrni dhe mbrojtësit të të akuzuarit Agim Çeku, avokatit Ramë Gashi.
Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjatë dhënies së mbrojtjes nga i akuzuari Buja, i cili po përgjigjej në pyetjet e gjykatësit Arrni, avokati Gashi ngriti zërin dhe kërkoi që të mos përsëriten dy herë pyetjet në drejtim të të akuzuarit dhe të konstatohen përgjigjet e dhëna nga ai.
Pas kësaj, gjykatësi Arrni kërkoi nga kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri që të marrë masa ndaj avokatit Gashi, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.
Gjykatësi tha se avokati nuk mund të përzihet në mënyrën se si i parashtron pyetjet si gjykatës. Megjithatë, Gashi tha se nuk ishte ndërhyrje në pyetje.









