Reshjet e shiut pengojnë festën e qytetarëve në orët e mbrëmjes
Për shkak të reshjeve të shiut, një numër i vogël qytetarësh në Prishtinë kanë dalë sonte për të vazhduar kremtimin e festave të nëntorit. Po ashtu, për shkak të motit me reshje të vazhdueshme shiu është anuluar koncerti i paraparë në sheshin “Shatërvan” në Prizren, në orën 19:00.
28 nëntori, Dita e Flamurit Kombëtar, në kryeqytet u mbajt përkundër kushteve jo të mira atmosferike. Disa nga qytetarët shprehen të lumtur që sot shqiptarët si komb po e festojnë këtë ditë, e disa të tjerë janë të pakënaqur me numrin e vogël të aktiviteteve festive të organizuara nga komuna e Prishtinës në këtë ditë feste.
Qytetari Ismail Mustafa uron festën e 28 nëntorit për të gjithë diasporën duke thënë se populli shqiptar e meriton lirinë që e gëzon sot. Ai thotë se krenohet me flamurin shtetëror të Kosovës, por se në zemrën e tij është flamuri me shqiponjë.
Për të kremtuar këtë ditë të madhe në Kosovë kishte ardhur nga Italia edhe Roberti, i cili nuk deshi të bëjë të ditur mbiemrin. Ai, megjithatë, shprehet i pakënaqur me organizimin festiv të nga na e komunës së Prishtinës.
Një qytetar tjetër që nuk deshi të identifikohej uron që 28 nëntorët e tjerë populli i Kosovës të jetë i bashkuar me Shqipërinë.
Pavarësisht reshjeve të shiut në orët e mbrëmjes, Festës së Flamurit Kombëtar iu janë bashkëngjitur edhe të rinjtë.
Ndryshe, për shkak të motit me reshje të vazhdueshme shiu është anuluar koncerti i paraparë në sheshin “Shatërvan” në Prizren, në orën 19:00. Koncerti do të mbahet disa ditë më vonë, bazuar në kushtet e favorshme atmosferike.











