Rexha kërkon formimin e një taskforce për të adresuar gjetjet e raportit e Reporterëve pa Kufij
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, në konferencën e jashtëzakonshme për media e cilësoi si alarmuese për Kosovën renditjen në raportin e vitit 2025 të Reporterëve pa Kufij.
“Është në vendin e 99 siç e keni parë, 24 vende me poshtë se sa vitin e kaluar pasi që Kosova kishte rënë 19 vende poshtë një vit më parë. Është një alarm i jashtëzakonshëm, është një rangim shokues që e lë Kosovën në vendin e fundit më së keqi në Ballkanin Perëndimor dhe raporti rendit disa prej arsyeve kryesore duke përfshirë ligjin kontestues të Komisionit të Pavarur të Mediave të cilin e kemi kontestuar që nga fillimi, por i cili ishte miratuar nga mazhoranca në korrik të vitit të kaluar, fushatat e vazhdueshme denigruese ndaj gazetarëve sidomos me tog fjalëshin e njohur që janë bashkëpunëtor të armikut të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë këtyre muajve dhe po vazhdojnë edhe sot pas publikimit të këtij raporti.”, tha kryetari i AGK-së , Xhemajl Rexha.
“Një tjetër element që përmendet në raport është edhe ndërhyrja ose mungesa e pavarësisë së transmetuesit publik RTK, siguria e gazetarëve vazhdon të mbetet problem dhe përmendet edhe sivjet në këtë raport, gjithashtu rritja e padive SLAP si dhe vëzhgimi i paautorizuar i gazetarëve”, tha Rexha.
Rexha propozoi formimin e një task force për të adresuar gjetjet e këtij raporti, teksa shtoi se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjithë për këtë./21Media











