(Lajm i përditësuar)
Shefi i NATO-s thotë se nuk do të lejojë që paqja e fituar me vështirësi në Bosnje dhe Hercegovinë të rrezikohet

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte theksoi më 10 mars në Sarajevë se NATO nuk do të lejojë që paqja e fituar me vështirësi në Bosnje dhe Hercegovinë të rrezikohet dhe të krijohet një vakum sigurie në Bosnje dhe Hercegovinë.
Pas takimit me anëtarët e Presidencës së BiH-së, Rutte theksoi se NATO-ja mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të BiH-së, se Marrëveshja e Paqes e Dejtonit – e cila i dha fund luftës në 1995 – është një gur themeli që duhet respektuar, por gjithashtu se mbështet aktivitetet e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) të ngarkuar me zbatimin e saj.
“Sigurisht që jam i shqetësuar për situatën e sigurisë, por ky nuk është viti 1992 dhe ne nuk do të lejojmë të krijohet një vakum sigurie. E di që EUFOR është plotësisht i përgatitur për të mbajtur një mjedis të qëndrueshëm sigurie në BiH. Ne nuk do të lejojmë që paqja e fituar me vështirësi në BiH të rrezikohet,” tha Rutte.
Tre anëtarë të Presidencës së BiH, dy pozicione të ndryshme
Kryetarja Zheljka Cvijanoviq, e cila vjen nga Republika Srpska, tha se për të dhe përfaqësuesit politikë të këtij entiteti nuk është e diskutueshme integriteti territorial dhe ruajtja e multietnicitetit të BeH dhe bashkëpunimi me NATO-n, por se anëtarësimi në këtë aleancë ushtarako-politike është i diskutueshëm.
“Kolegët e mi besojnë se është normale që një i huaj të vendos ligje, nuk besoj se është normale që dikush të krijojë një cirk kaq të madh në bazë të Konferencës së Bonit. Në RS ekziston besimi se ky vend është privatizuar me spekulime të ndryshme në të mirë të një populli, në dëm të dy popujve të tjerë”, tha Cvijanoviq.
Cvijanoviç përshëndeti praninë e shtuar të EUFOR-it dhe NATO-s në BeH dhe tha se ajo mendonte se ishte mirë për të gjithë vendin “për shkak të kërcënimeve të ndryshme verbale që patëm mundësinë t’i dëgjonim”.
“ Schmidt nuk mund ta shpëtojë BiH, por Republika Srpska dhe Federata e BiH munden dhe mendoj se ne duhet të punojmë për këtë, për të arritur një marrëveshje dhe për të jetuar një jetë normale dhe demokratike,” tha Cvijanoviç.
Anëtari i Presidencës Denis Beqiroviq tha se ishte e rëndësishme sepse Rutte tha se NATO nuk do të lejonte një vakum sigurie dhe sepse ai shprehu mbështetjen e plotë për mandatin e Përfaqësuesit të Lartë në BeH.
“Këto janë momentet më të vështira që nga viti 1995. Ne patëm një grusht shteti brutal kushtetues në BiH. Destabilizimi i rrezikshëm duhet të ndalet. Përfitimi i vetëm nga destabilizimi do të ishte Moska,” tha Beqiroviç.
Anëtari i tretë i Presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiq, tha se ishte “i gatshëm të nënshkruajë menjëherë” gjithçka që ata dëgjuan në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s.
Komshiq tha se përgjegjësia për BiH “do të bjerë mbi ne këtu” dhe se është detyra e tyre “t’u japin shumicën e lajmeve të mira qytetarëve të BiH”.
“Gjëja që askush nuk e përmend është nevoja që BiH të ndajë një shumë më të madhe parash për sektorin e mbrojtjes, duke pasur parasysh se BiH dëshiron të bëhet anëtare e NATO-s. Shuma e parashikuar në buxhetin që po miratojmë sot nuk është as afër dy për qind e prodhimit të brendshëm bruto (PBB)”, tha Komshiq.
Pas këtij takimi, Rutte pati një takim me kryetaren e Këshillit të Ministrave të BeH, Borjana Krišto.
NATO ka deklaruar vazhdimisht se kjo organizatë ushtarako-politike mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës dhe se nuk do të lejojë një vakum sigurie apo rrezikim të paqes së fituar me vështirësi. /REL
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s mbërrin në Bosnje dhe Hercegovinë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, ka mbërritur të hënën, më 10 mars, për një vizitë zyrtare në Bosnje dhe Hercegovinë, ku do të takohet me lidershipin më të lartë politik, në kohën kur autoritetet e Republikës Srpska, duke kërcënuar me shkëputje, tentuan të ndalojnë punën e institucioneve shtetërore gjyqësore dhe policore në territorin e këtij subjekti.
Aktualisht është duke u zhvilluar një takim me anëtarët e Kryesisë së Presidencës së BeH – Zheljka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq, pas së cilës është caktuar një konferencë për media.
Pas këtij takimi, Rutte do të ketë një takim me kryetaren e Këshillit të Ministrave të BeH, Borjana Krišto.
Pasdite, ai është planifikuar t’u drejtohet studentëve në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s mbërriti në Bosnje dhe Hercegovinë pas miratimit të ligjeve antikushtetuese në Bosnje dhe Hercegovinë.
Asambleja e RS miratoi më parë një ligj që ndalon aktivitetet e Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA) të BiH, Gjykatës dhe Prokurorisë së BiH dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, i cili është përgjegjës për emërimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në BiH.
Gjykata Kushtetuese e BiH nxori një masë të përkohshme dhe ndaloi zbatimin e ligjit të miratuar nga Asambleja Kombëtare e RS më 27 shkurt, një ditë pasi Presidenti i RS Milorad Dodik u dënua nga Gjykata e BiH me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim për të mbajtur postin.
Ai u shpall fajtor për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë Christian Schmidt dhe nënshkrimin e një dekreti për shpalljen e ligjeve që Schmidt i kishte anuluar më parë, të cilat tentuan të pengonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BiH dhe të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e RS.
NATO ka deklaruar vazhdimisht se kjo organizatë ushtarako-politike mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës dhe se nuk do të lejojë një vakum sigurie apo rrezikim të paqes së fituar me vështirësi.
Forca e Bashkimit Evropian (EUFOR) në Bosnje dhe Hercegovinë njoftoi më 7 mars se do të rriste përkohësisht përmasat e forcave të saj si masë parandaluese, pas rritjes së tensioneve në vend. /REL









