Rutte përgjigjet se çfarë garancie ofron NATO për Kosovën ndaj retorikës ultra-nacionaliste të Vuçiqit
Sekretari i Përgjithshëm i Traktatit të Aleancës Veri-Atlantike (NATO), Mark Rutte tha se është në kontakt shumë të afërt me Presidentin serb Aleksandër Vuçiq. Rutte tha se Vuçiqi pritet ta vizitojë gjatë këtij muaji atë në Bruksel. Rutte tha se gjatë këtij takimi që pritet të mbahet, do t’ia përçoj mesazhet e tij për paqen në rajon.
Kështu u përgjigj Rutte në pyetjen e kallxo.com se cila është garancia që ofron NATO që mos të preken kufijtë e Kosovës dhe vendi mos të kthehet në vitet e 90-ta, në kohën kur retorika ultra-nacionaliste e Vuçiqit ndaj Kosovës po rritet. Ai fillimisht tha se është i lumtur që vizitoi KFOR-in në Kosovë.
“Jemi në kontakt shumë të afërt edhe me zotëri Vuçiq që patëm një telefonatë javën e kaluar dhe ai do të më vizitojë në Bruksel së shpejti, besoj këtë muaj. Po i përcaktojmë datat. Dhe, do të jem shumë i drejtpërdrejtë duke i përçuar mesazhe të gjithë partnerëve që vetëm bashkarisht mund ta sjellim paqen afatgjatë në këtë rajon”- u përgjigj Rutte gjatë vizitës së tij në Kosovë.
Rutte tha se nuk mund të parashikojnë paqe kur mbesim në të njëjtat probleme për dekada me radhë.











