Shabiu: Nëse nuk dëgjohen qytetarët, do të bllokojmë edhe Kuvendin
Organizatori i protestës kundër shtrenjtimit të rrymës, Besnik Shabiu, ka deklaruar për RTV21 se mesazhi i qytetarëve po bëhet çdo ditë e më i fuqishëm, por ende nuk ka arritur te ata që duhet të kujdesen për jetën e qytetarëve.
Ai paralajmëroi se nëse nuk ka reagim nga institucionet, protestat do të përshkallëzohen dhe mund të përfshijnë bllokimin e rrugëve, shesheve dhe madje edhe të Kuvendit të Kosovës.
‘’Absolutisht po vazhdon mesazhi i qytetarëve me qenë ma i fuqishëm se asnjëherë më parë dhe ky mesazh ende nuk është arritur në adresën e duhur siç duket të atyre të cilët janë atje për tu kujdesur për jetën e qytetarëve të republikës së Kosovës. Pas kësaj protestë nëse do të ketë nevojë ne kemi tregu qe mund të thërrasim protesta të tjera të cilat nuk do të jenë të këtij lloji por do të jenë protesta që do të bllokojnë edhe rrugët edhe sheshet edhe institucionet, nëse do të ketë nevojë do të bllokojmë edhe kuvendin e Kosovës. Nëse të zgjedhurit e popullit nuk e thonë asnjë fjalë për këtë punë atëherë qytetarit i mbetet të merr fatin e tij në duar, përndryshe ne do të vazhdojmë të përballemi me një jetë më të vështirë dhe nuk besoj që në vitin 2025 qytetarët do të qëndrojnë vetëm spektator dhe të shohin se si jeta e tyre po vështirësohet’’, tha Shabiu./21Media











