Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sulmuar tri objekte bërthamore në Iran.
“E kemi përfunduar me sukses sulmin ndaj tri objekteve bërthamore në Iran, përfshirë Fordow, Natanz dhe Esfahan. Të gjitha avionët tani ndodhen jashtë hapësirës ajrore iraniane”, ka shkruar Trump në Truth Social.
Ai ka shtuar se një “ngarkesë e plotë bombash” u hodh mbi objektin në Fordow, ndërsa të gjithë avionët janë në rrugë për t’u kthyer në SHBA.
Po ashtu, Trump ka shkruar në këtë rrjet social se ky është moment historik për SHBA-në, Izraelin dhe gjithë botën.
“Irani tani duhet të pajtohet t’i japë fund kësaj lufte”, ka shtuar Trumpi që po ashtu ka postuar një fotografi me shkrimin “Fordow ka marrë fund”.
Lidhur me bombardimet CNN, ka shkruar se u përdorën bombarduesit e famshëm amerikanë B2.
Në anën tjetër edhe Irani ka pranuar sulmin në Fordow. Agjencia e lajmeve “Tasnim” raporton se Morteza Heydari nga menaxhmenti i krizave në provincën Qom ka thënë se “një pjesë e zonës bërthamore në Fordo ishte në sulm ajror”.










