Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

“Shihemi pas 48 orësh”, edhe sot nuk u bë Kuvendi

nga Kaltrina Berila2 qershor 2025
“Shihemi pas 48 orësh”, edhe sot nuk u bë Kuvendi

(Lajm i përditësuar)


Haxhiu: Kjo situatë po ndodhë sepse opozita po ka inate

Kandidatja për kryeparlamentare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu pas dështimit të 25 të për konstituimin e Kuvendit, ka thënë se opozita me një inat iracional ka vendosur të mos marr pjesë në votim.

“Siç e keni parë sot ishte hera e 17-të prej kur është vendosur propozimi për votimin e komisionit për votimin e fshehtë. Edhe përkundër kësaj, nuk kemi një situatë ndryshe. Opozita me një inat iracional ka vendosur që të mos marr pjesë në votim, duke vepruar kështu në shpërputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Mendoj që është jashtëzakonsiht e rënsësishme që deputetët të jenë të përgjegjshëm dhe të veprojnë në përputhje me kushtetuten”, tha ajo.


Çitaku bën thirrje për reflektim: Po rrezikohen 140 mijë punëtorë

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku pas dështimit të seancës së 25-të të Kuvendit bëri ftesë për reflektim pasi që sipas saj aktualisht po rrezikohet ekonomia e vendit derisa institucionet po vazhdojnë të jenë të bllokuara.

“140 mijë punëtorë po rrezikohen, familjet tona po rrezikohen e në ndërkohë Kuvendi ei Institucionet e Kosovës vazhdojnë të mbesin të bllokuara për shkak të kryeneçësisë të grupit të parë parlamentar, edhe një herë bëjmë ftesë për reflektim, Kosova është më e madhe se sa secili prej nesh veç e veç”, tha ajo./21Media


“Shihemi pas 48 orësh”, edhe sot nuk u bë Kuvendi

Kuvendi i Kosovës ka dështuar për të 25 herë të konstituohet. Kjo pasi që nuk pati korum për votimin e komisionit për votim të fshehtë.

Për votuan 51 deputetë, kundër 1, dhe abstenim nuk pati.


Deliu: S’pres epilog tjetër sot, vendimi i Kushtetueses do të jetë një masë lehtësuese

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra tha para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit se nuk pret ndonjë rezultat tjetër sot.

Ajo shprehu keqardhje për ngërçin politik.

“Nuk pres që sot do të ketë ndonjë epilog tjetër. Shpresoj shumë që lëvizja Vetëvendosje më në fund të fillojë dhe të mendojë seriozisht për mënyrën se si ta nxjerrë Kuvendin nga situata e bllokimit dhe e marrjes peng të institucionit më të lartë në vend”, tha Deliu-Kodra.

Deputetja tha se “PDK-ja i ka propozuar alternativat e saj”.

PDK-ja, ajo tha se ka bërë “përpjekje të parreshtura” për të dalë nga bllokada.

Lidhur me formimin e një komisioni që LVV-ja po e propozon çdo dy ditë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë, Deliu-Kodra tha se do ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Çfarëdo që do të jetë vendimi i Kushtetueses do të jetë masë lehtësuese edhe për ne, por unë më shumë e shoh si përpjekje për të mos thënë që nuk po votohet zonja Haxhiu, por nuk po votohet komisioni. Sepse në të kundërtën, do të kishim 25 seanca të dështuara me kandidaturën e zonjës Haxhiu”, tha ajo.

Haziri para seancës : Është bërë neveritëse për qytetarët dhe për neve

Deputeti  i LDK-së Lutfi Haziri e cilësoi si neveritëse krejt këtë që po ndodh me moskonsituimin e Kuvendit të Kosovës,

“Jemi vonë, është bërë neveritëse për qytetarët dhe vetë neve. Ka rrugë e mundësi që duhen mu shtjerr deri në fund. Për LDK-në nuk ka të bëjë emri i përveçëm por parimi që konstituimi të finalizohet, dhe një marrëveshje politike është përtej urgjencës sepse Kosova është në krizë politike”, tha Haziri.

Ai fajësoi kryeministrin në detyrë Albin Kurti  i cili sipas tij nuk po punon për zhbllokim të Kuvendit.

“Nëse i duhet zonja Haxhiu si arsyetim për shkak se nuk po mundet me ndërtu qeverinë, është problem i tyre jo i yni”, tha Haziri, duke shtuar se Kurti ka bërë fushatë negative dhe ka lënduar kolektivisht.


Berisha i AAK-së: Msheft nuk mund të votoj, unë veç për lëndine

Deputeti i AAK-së Bekë Berisha para seancës së Kuvendit të Kosovës tha  se nuk mund të votojë fshehurazi.

“ Msheft nuk muj unë kështu pa maskë tanë jetën jam kanë veç për ledine, nuk di”, tha Berisha.

Ai shtoi se si parti kanë dhënë disa opsione por që nuk janë pranuar.

“Na mundemi me qu anëtarin e komisionin po këta tjerët , s’po donë, kemi dhënë opsion me bo qeveria të opozitës nuk dojshin LDK-ja”, u shpreh ai.

Derisa tha se vendi po humb shumë nga kjo situatë./21Media


​Bogujevci: Pse jemi viktima të luftës nuk do të thotë se jemi të kontrolluara dhe nuk kemi

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka treguar arsyen që, sipas saj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka propozuar emrin e saj si të pranueshme për kryetare të Kuvendit.

Ajo tha një gjë e tillë nuk ka ndodhur se ka qenë viktimë e luftës së fundit, mirëpo që ka qenë nënkryetare në legjislaturën e fundit të Kuvendit.

Përkitazi me këtë, Bogujevci tha se “pse ka qenë viktimë e luftës nuk do të thotë se është e kontrolluar”.

Megjithatë, Bogujevci nënvizoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk tërhiqet nga emri i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, pavarësisht se në 24 tentime nuk po arrihet të konstituohet Kuvendi.

“Është menduar që unë kam qenë ulur lartë atje si nënkryetare dhe i ka ra në mend dikujt si propozim. Kështu ka qenë propozimi i personit në fjalë. Unë nuk kam qenë vetëm një viktimë e luftës ku më është vrarë familja dhe jam viktima. Kam luftu me Serbinë prej kur kam qenë fëmijë. Krejt fëmijëria ime dhe shumë kohë para se me hy në politikë unë kam pas luftë me Serbinë dhe kam bërë vet me familjen time… Duhet të kuptojmë se vetëm pse jemi viktima të luftës nuk do të thotë se jemi të kontrolluara, ne nuk e kemi mendjen tonë dhe nuk dimë asgjë e forma të tjera që prezantohen. Edhe ne kemi mendim. Mundemi me pas mendime të ndryshme por dina diçka. Kemi njohuri dhe shkollim dhe fjala jonë ka peshë”, tha ajo.

Këto komente Bogujevci i bëri duke hyrë në objektin e Kuvendit, për vazhdimin e 25-të të seancës konstituive./kp


Bllokada në Kuvend, Bahtiri e fajëson opozitën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, para nisjes së seancës e ka fajësuar opozitën për bllokimin e Kuvendit.

Ai i ka ftuar partitë opozitare të reflektojnë pozitivisht.

“Jemi duke pritur opozitën që të reflektojnë pozitivisht sepse kjo është e tepërt, është e tmerrshme dhe e papranueshme edhe para familjeve të tyre, e lëre më para popullit”, ka thënë ai.


Peci thotë se kanë pasur takim me Nismën: S’ka lëviz diçka

Faton Peci nga Vetëvendosje para seancës së sotme të Kuvendit tha se para disa ditësh kanë pasur takim me me Nismën por që nuk është arritur diçka.

“Takime ka pasë para diku 2-3 ditësh, nuk e di në çfarë niveli është realizuar, por ka pasë vet akterë të VV’së që e kanë konfirmu një gjë të tillë, por deri në këtë fazë nuk kam dijeni që ka lëvizë diçka”, tha ai.

Derisa shtoi se e shohin Nismën si partner evendual për qeverinë./21Media


Sot tentativa e 25-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të shtunën, për herë të 24-të me radhë, të konstituojnë përbërjen e re parlamentare që doli nga zgjedhjet e parakohshme të mbajtura në shkurt.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga shoqëria civile dhe faktori ndërkombëtar për formimin sa më të shpejtë të institucioneve, bllokada politike po vazhdon.

Subjektet politike nuk po arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, proces i domosdoshëm për hapjen e rrugës drejt krijimit të Qeverisë së re.

Seanca e 25-të konstituive është thirrur për sot, me fillim nga ora 10:30.

Sipas rregullores së Kuvendit, propozimi për kryetar i takon ekskluzivisht partisë fituese të zgjedhjeve – Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Kjo e fundit ka nominuar Albulena Haxhiun për këtë post dhe, ndonëse ka shprehur gatishmëri për marrëveshje politike me subjektet tjera, ka bërë të qartë se nuk do të propozojë emër tjetër.

Përveç kryetarit, për konstituimin e plotë të legjislaturës së nëntë duhet të zgjidhen edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit.

Vetëm pas përmbylljes së këtij procesi mund të procedohet me hapat e nevojshëm për formimin e Qeverisë së re.

Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës
LAJMI TJETËR →
Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës

Më të fundit

Të gjitha →