Shqipëria anëtare me mandat dy vjeçar në Këshillin e Sigurimit të OKB: Do ta përdorim për të avancuar çështjen e Kosovës
Sot është dita e parë e Shqipërisë si anëtarë jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB 1 janar 2022 – 31 dhjetor 2023).
“Kjo ditë e parë e vitit të ri vjen për shqiptarët me një lajm vërtet të mirë. Sot, Shqipëria fillon mandatin e saj dy vjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Që sot ekipi ynë i diplomatëve në Nju Jork do të ketë të drejtën të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit si një anëtar jo permanent, do të ketë të drejtën të prezantojë qëndrimet e Shqipërisë për adresimin e çështjeve më të nxehta të sigurisë në botë. Do të ketë privilegjin të influencojë me forcën e ideve dhe eksperiencës sonë diskutimet mbi kërcënimet më të mprehta që rrezikojnë sot paqen e stabilitetin”, tha ministrja e Jashtme Olta Xhaçka në një videomesazh.
Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës
“Kjo është një arritje për të cilën duhet të ndihet krenar çdo shqiptar kudo në botë. Duke filluar nga vëllezërit e motrat tona në Kosovë sepse padyshim që Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare sepse Kosova ka qenë, është e do të jetë një kauzë e shenjtë për Shqipërinë. Do të punojmë për shqiptarët, por do të punojmë edhe për rajonin tonë për të konsoliduar arritjet e dekadave të fundit e për mos ta lënë atë të rrëshkasë drejt destabilizimit e tensioneve.Do të punojmë me aleatët e partnerët tanë për të avancuar së bashku agjendën e prioriteteve tona të përbashkëta, duke konsoliduar kështu akoma më shumë lidhjet e forta që na bashkojnë.”, tha Xhaçka.
Ministrja u shpreh se mandati në Këshillin e Sigurimit është rezultat i lobimit për vite e dekada të tëra dhe uroi nga zemra një vit të mbarë për të gjithë shqiptarët.
“Le t’i qasemi 2022 e sfidave që na presin me po këtë frymë e po këtë vendosmëri dhe nuk kam asnjë dyshim që e ardhmja që do të ndërtojmë së bashku për familjet e fëmijët tanë do të jetë vërtet e bukur! Gëzuar!”, shtoi ajo./Ora news









