(Lajm i përditësuar)
Në mungesë kuorumi, nuk është vazhduar seanca plenare. Të pranishëm në sallën alternative ku është mbajtur seanca e sotme, kanë qenë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Paraprakisht, deputetët e partive opozitare kanë lëshuar sallën plenare meqë nuk është mbështetur kërkesa për tërheqjen e Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Komisionit të Pavarur të Mediave dhe për Zyrtarët Publik.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se kjo seancë do të vazhdohet javën e ardhshme.
“Siç duket nuk do ta kemi kuorumin për sot, kështu që këtë seancë e vazhdojmë javën e ardhshme”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca. Në seancën e sotme plenare ishin paraparë mbi 30 pika të rendit të ditës
Opozita lëshon seancën
Opozita ka lëshuar sallën e Kuvendit ku po mbahet seancë plenare.
Projektligjet për Komisionin e Pavarur të Mediave, për zyrtarët publikë dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), nuk morën shumicën për t’u tërhequr nga votimi, siç kërkuan deputetët opozitarë.
50 deputetë ishin kundër tërheqjes nga rendi për projektligjin për KPM-në, 25 për e 3 abstenuan, e kundër tërheqjes nga rendi për zyrtarët publikë votuan 50 deputetë, 25 për e 3 abstenime.
Pas votimit, deputetët opozitarë lëshuan sallën alternative ku po mbahet seanca e sotme.
Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës kthehet në Komision pas akuzave për kontrabandim
Me 69 vota për, 4 kundër dhe asnjë abstenim është miratuar mocioni i kryetarit të Komisionit për Siguri, njëherësh deputeti i AAK-së, Bekë Berisha që të kthehet në Komision Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.
Berisha gjatë fjalës së tij ka akuzuar anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në këtë komision, Enver Dugolli, duke thënë se “në mënyrë klandestine ka kontrabanduar” me Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.
Berisha kërkoi që të kthehet neni 1.1 dhe të tërhiqet në plotni nga sponzorizuesi ky projektligj.
“Nuk e di se ku i keni qëllimet, veç me i kap”, ka thënë Berisha.
Ndërsa, shefja e grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila kërkoi që projektligji të kthehet në komision, duke kundërshtuar pretendimet e Berishës.
“…propozojmë që ky projektligj të kthehet në komision”, ka thënë Kusari-Lila.
Nga PDK, deputeti Rashit Qalaj tha që ky projektligj të tërhiqet nga sponzorizuesi dhe të kthehet sërish në Komisionin për Siguri.
“Të tërhiqet nga sponzorizuesi për shkak të shumë çështjeve që janë devijuar rrugës nga ligji përfundimtar. Qëndrojnë ato që thotë Berisha… , ka thënë Qalaj.
Mandatet në rrezik, deputetët e Listës Serbe rikthehen në seancë
Deputetët e Listës Serbe kanë ardhur në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës. Para fillimit të seancës plenare, e cila po mbahet në sallën alternative, të njëjtit shihen duke u nënshkruar në listën e pjesëmarrjes. Hera e fundit që ata u paraqiten në sallë plenare ishte më 8 shkurt.
Të njëjtit kanë marrë mandatet e tyre në nëntor të vitit 2022, kur paraardhësit e tyre dhanë dorëheqje.
Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe një deputet i pavarur serbë vijnë në seanca plenare vetëm një herë në gjashtë muaj dhe pas nënshkrimit nuk qëndrojnë në sallë plenare.
Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare
Nga ora 10:00 Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë plenare.
Sipas njoftimit për media, në rend të ditës, do të votohen disa projektligje – siç është edhe ai për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.
Po ashtu, do të shqyrtohet Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe do të votohet për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në IML dhe zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit.
Rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbaleve të seancave të mëparshme,
2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
3. Pyetjet parlamentare,
4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-309 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
5. Votimi i Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë,
6. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
7. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
8. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,
9. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-296 për të huajt,
10. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-277 për Sport,
11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-264 për Rininë
12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues,
13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-256 për falimentimin,
14. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-225 për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes,
15. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-261 për mbrojtje nga zjarri,
16. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-267 për letërnjoftimin,
17. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-274 për Shërbimet Private të Sigurisë,
18. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr. 08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës,
19. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr. 08/L-272 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L010 për noterinë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08/L-149,
20. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr. 08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave,
21. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr.08/L-262 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr. 05/L- 031 për procedurën e përgjithshme administrative, faza e dytë,
22. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë,
23. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-304 për bankat,
24. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-305 për ofruesin e shërbimeve të navigacionit ajror,
25. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,
26. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës,
27. Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH,
28. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
29. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,
30. Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare,
31. Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028,
32. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb.











